Ajo

Ms. Indefinite – Performancat artistike si armë për barazi gjinore

Intervistë me aktivisten dhe artisten Ms. Indefinite

Ms. Indefinite është artiste e re nga Kosova, e cila me anë të video-performancave të saj e lufton në mënyrë artistike patriarkalizmin dhe femicidin në Kosovë. Performancat e saj artistike, siç janë “Marigona nuk qëndis më flamurin”, “Koha Matriarkale”, “Gjaku ynë, taksa juaj” dhe “Red Swan”, të gjitha shpërndajnë mesazhe të fuqishme feministe për gratë dhe vajzat në vendin tonë, por edhe në botë. Lloji i artit të Ms. Idefinite është më i rrallë, por shumë i veçantë, ku përfshihet bashkimi i katër disiplinave të artit: muzikës, vallëzimit, poezisë dhe aktrimit në një video-performancë të vetme. Por arti nuk është mënyra e vetme se si ajo merr pjesë në lëvizjen feministe. Ms.Indefinite është e angazhuar në shumë protesta, marshe, aktivitete dhe kampanja feministe në Kosovë. Shumë nga këto dhe më shumë, artisja i trajtoi në intervistën që dha për Grazetën.

Autore e intervistës: Anda Murati

Grazeta: Çka do të thotë emri Ms. Indefinite? A paraqet edhe vetë ky emër në vete vepër artistike?

Ms. Indefinite: Siç e kam cekur edhe në disa intervista të tjera, emri im artistik Ms. Indefinite (zonja e papërcaktuar/e papërkufizuar/e palimituar/e padefinuar), sikurse në paraqitje, por edhe në përfaqësim, konceptualisht është prezantim i personalitetit, identitetit, karakterit, natyrës time artistike në krijimet dhe qëndrimet si artiste feministe dhe jo vetëm. Kjo më së miri shpjegohet në një nga fragmentet epike të filozofit, shkrimtarit, aktivistit politik dhe kritikut letrar francez, Michel Foucault, që thotë si në vijim: Sapo filloni të shkruani, edhe nëse është me emrin tuaj të vërtetë, ju si shkrimtar filloni të funksiononi si dikush pak më ndryshe. Ju krijoni nga vetja për veten vazhdimësi dhe një nivel koherence që është jo krejt e njëjtë me jetën tuaj reale… E gjithë kjo përfundon duke e krijuar një lloj neo-identiteti (identiteti të ri), që nuk është identik me identitetin tuaj si qytetar apo identitetin tuaj social. Për më tepër, ju e dini shumë mirë këtë, pasi dëshironi të ruani jetën tuaj private.

Grazeta: A i konsideroni temat që i trajtoni në veprat tua artistike si çështje lokale apo probleme me të cilat ballafaqohen të gjitha shoqëritë?

Ms. Indefinite: Në veprat e mija performative trajtohet diskriminimi gjinor, shtypja e vajzave dhe grave, mendësia patriarkale dhe fenomeni i femicidit. Më anë të aktivizimit tim artistik, përmes video-performancave që avokojnë për të drejtat e gruas në Kosovë, nëpërmjet artit si krijim, unë shpreh kritikën time shoqërore duke shfaqur revoltën qytetare në krijimtarinë artistike, duke trajtuar në mënyrë protestuese çështjen e drejtësisë dhe barazisë gjinore në shoqërinë kosovare, e me synimin e luftimit artistikisht të patriarkatit dhe femicidit, probleme këto që janë më shumë se sa vetëm shoqërore.

Grazeta: A mendon që mesazhi që e dërgon përmes veprave tuaja e prek vetëm botën shqiptare apo i drejtohet audiencës botërore?

Ms. Indefinite: “Dukuria” e femicidit, maskilizmit, mizogjenisë, seksizmit, dhuna në baza gjinore, “fenomeni” i abuzimeve dhe ngacmimeve seksuale, në përgjithësi shkelja e të drejtave të grave, janë probleme globale, por që veprat performative në kuadër të projektit tim të tanishëm #fourartsforactivism kanë si fokus shoqërinë shqiptare me mendësinë patriarkale.

Grazeta: Mënyra e krijimeve tua artistike është shumë specifike. A mund të na tregoni si u inspiruat të bëni ndërlidhjen mes katër formave të artit (aktrimit, poezisë, muzikës dhe koreografisë) dhe mbi të gjitha të jepni mesazhe të forta mbi barazinë gjinore?

Ms. Indefinite: Si artiste performative, artin tim performues e zhvilloj në mënyrë organike duke gërshetuar katër disiplina të artit në video-performanca, duke ndërthurur aktrimin, vallëzimin, poezinë (e shkruar dhe recitale) dhe muzikën, jo vetëm në mënyrë regjisoriale, koreografike, poetike dhe recitale, por edhe kompozuese, e që është në tërësi krijuese edhe ekzekutuese. Andaj, natyrshëm kjo ndërlidhje multidimensionale artistike, mua si artiste më ka krijuar horizont më të gjerë krijues në secilën nga disiplinat artistike si një të vetme, duke u shprehur përmes tyre. Andaj konceptualisht nuk do e cilësoja si inspirim.

Grazeta: Cila është ndërlidhja artistike mes Marigonës që qëndisi flamurin me Marigona Osmanin dhe si e bëtë lidhjen mes tyre?

Ms. Indefinite: Video performanca “Marigona nuk e qëndis më flamurin”, e realizuar më 2 Gusht 2021, është reagim dhe kundërshtim artistik ndaj neglizhencës së sistemit prokurorial dhe gjyqësor në vend, në përgjithësi ndaj sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës si dhe vetë mendësisë vrastare femicide dhe qasjes patriarkale në shoqërinë kosovare. Ky performim tek Gjykata Themelore në Ferizaj dedikohet për Marigona Osmanin, 18 vjeçaren nga qyteti i Ferizajt e cila u vra në mënyrë mizore duke u dhunuar fizikisht për dy ditë rresht nga partneri i saj, Dardan Krivaqa. Mesazhi alegorik  i video-performancës është që e pamja për Marigonën do të qëndrojë e hapur me ngushëllime për kryeshnosh tek Gjykata Themelore në Ferizaj deri ne shqiptimin e dënimit maksimal (burgim të përjetshëm) për vrasësit e saj, siç është e përcaktuar kjo përmes nenit 173, pika 1.3 dhe 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Metaforikisht kjo paraqet ndërlidhjen në mes simbolikës së Marigonës që ka qëndisur flamurin kombëtar dhe Marigonës duke qëndisur plagët e vdekjes, nëpërmjet himnit kombëtar që e trajton vdekjen e një dëshmori, të transformuar në një himn feminist poetik-recital për dëshmoren e padrejtësisë institucionale dhe shoqërore. Kjo pra është një shprehje artistike performative, që ngërthen revoltën dhe reagimin si presion ndaj Gjykatës Themelore në Ferizaj, për shqiptimin e dënimit maksimal, si dhe stimulimin e ngritjes se vetëdijes kolektive për drejtësi dhe thirrje për ngritjen e zërit ndaj vrasjeve të vajzave dhe grave.

Grazeta: Cili është mesazhi kryesor i trilogjisë performative “Koha Matriarkale” dhe çfarë përfaqëson koncepti i pasqyrës në këtë vepër?

Ms. Indefinite: Trilogjia performative “Koha Matriarkale”, e realizuar më 30 Korrik 2021, sfidon stereotipin patriarkal në mendësinë e shoqërisë kosovare, me revoltën artistike performuese ndaj portretizimit diskriminues të një shtëpiakeje në rolin e nënës, kundrejt perceptimit shtypës të profesionit amvisëror të gruas.

“Koha Matriarkale”, kundërshton artistikisht sistemin kapitalist që shtyp dhe diskriminon “rolin dhe profesionin e saj” si grua dhe nënë, për punët e shtëpisë, në shtyllat si: përgatitjen e ushqimit, pastrimin e shtëpisë, kujdesin për fëmijët – profesione këto që nuk iu paguhen as për ditë dhe as për muaj, rol ky që nuk i vlerësohet as për javë dhe as për vite, pa pagë, honorar dhe mëditje, për angazhimin e përditshëm dhe kontributin vjetor. “Gruja është shtylla e shtëpisë” është fjali që duhet të shtyjë çdo grua të reflektojë mbi shtypjen brenda katër mureve të secilës shtëpi, reflektim ky që duhet të rrënojë nga jashtë duke ndërtuar përbrenda secilës një ambient ku asnjëra nuk do mund të konsiderohet vetëm si amvise. Nga ky reflektim (përtej të qenit nënë dhe grua), hidhen dhe përplasen të gjitha gjësendet dhe objektet shtëpiake drejt “pasqyrës së shtëpisë” dhe “shtëpisë pasqyrë” për “thyerjen e pasqyrës”, për të pasqyruar shtypjen që nuk shihet si e tillë nga sistemi kapitalist dhe mendësia patriarkale.

Grazeta: Si ju erdh frymëzimi për “Gjaku im, taksa juaj” duke e marrë parasysh që është temë shumë tabu në shoqërinë tonë?

Ms. Indefinite: Në Ditën e shëndetit menstrual (Menstrual Hygiene Day), në kuadër të kampanjës #pecetanukështëluks, të organizuar nga “QIKA”, video-performanca “Gjaku ynë, taksa juaj!”, e realizuar më 28 Maj 2022, erdhi si kundërshtim artistik ndaj varfërisë menstruale dhe stigmatizimit  te menstruacioneve, duke reaguar përmes artit kundrejt taksimit 18% të produkteve menstruale. Duke marrë parasysh që në Kosovë nuk është vërejtur asnjë iniciativë nga institucionet publike për të zbutur varfërinë menstruale, përkundrazi pecetat menstruale sipas Ligjit për TVSH nuk bëjnë pjesë në produktet esenciale dhe si të tilla taksohen 18%, përmes video-performancës konstatohet që taksa për menstruacionet tona është seksiste, pasi secila grua ka të drejtë të ketë qasje në produktet menstruale dhe të ketë shëndet të mirë menstrual. Shëndeti menstrual nuk është vetëm çështje e grave, është çështje e shëndetit publik.

Grazeta: Cila do jetë tematika që do e trajtoni në performancën e ardhshme ?

Ms. Indefinite: Në kuadër të Manifesta 14, si artiste feministe jam njëra nga autoret e podcast “Prishtina is Everywhere”, përkatësisht jam autore e episodit të podcast me titull “Diskriminimi gjinor në emërtimin e rrugëve” (që pritet të publikohet gjatë muajit shtator). Në këtë podcast bashkë me video-performancën “Labirint i Barazisë” kam trajtuar çështjen e diskriminimit gjinor në emërtimin e rrugëve.

About the author

Anda Murati

Anda Murati

Anda Murati ka lindur në vitin 2006. Ajo shkollën e mesme të ulët e përfundoi në shkollën “Qamil Batalli” në Prishtinë. Aktualisht Anda është nxënëse e klasës së 11-të në Gjimnazin “Xhevdet Doda”, drejtimi shkencat natyrore. Ajo që nga mosha e re ka pasur interesim për të drejtat e njeriut në përgjithësi, si dhe për temat si barazia gjinore dhe të drejtat e grupeve të margjinalizuara në shoqëri në veçanti.

Add Comment

Click here to post a comment