Shtjellime

Pasiguria e adoleshenteve në rrugë

Si vajzë e re të ecësh vetëm në rrugë është gjithmonë një eksperiencë e frikshme. Brenda një kohe të shkurtër has në një sërë ngacmuesish, fjalësh fyese e shqetësuese dhe e vetmja gjë që je në gjendje të bësh është të ecësh e të shpresosh që do të lënë të qetë e nuk do të ndjekin. Nuk guxoj në asnjë mënyrë të ec në vende pa qarkullim e të errësuara, të ndaloj sepse një makinë po kërkon ndihmë, t’ua kthej fjalën ngacmuesve nga frika se mos do sulmohem. Duhet të bëj sikur po flas në telefon me dikë, duhet që shoqëria të ma dinë gjithmonë vendndodhjen, natën duhet të më sjellin prindërit në shtëpi sepse edhe mendimi i taksit apo transportit publik më shqetëson. Madje ndonjëherë më përcjell edhe ndonjë shok sepse e vetmja mënyrë që të respektohesh dhe mos të ngacmohesh është po pate dikë të gjinisë mashkullore pranë.

E megjithatë shoqëria do të gjejë diçka për të cilën të na fajësojë “pse je veshë ashtu”, “çka lypshe vetëm natën”, “djem janë, nuk ke çka i bën”. E pikërisht këto justifikime e fajësime janë shkaktarët e këtij problemi. Në momentin që ti justifikon një ngacmues, ti bëhesh pjesë e këtij fenomeni të pandalshëm. Edhe pse të shpejtë për të lënë faje, çfarë nuk ndalen të mendojnë është se me këto lloj ngacmimesh kemi hasur edhe gjatë ditës, të veshura me uniforma shkollore, shumicën e rasteve edhe ua kemi bërë me dije se jemi të mitura dhe kjo gjë nuk i ka penguar. E në këto raste kush qenka fajtori?

“Gënjej nëse them se ndihem e sigurt të ec vetëm në rrugë”

Por, sa ndihen të sigurta vajzat e reja në rruge?

Orgesa Berisha, 17 vjeçare, thotë për Grazetën: “si një vajzë 17 vjeçare mund të të gënjej nëse them se ndihem e sigurt të ec vetëm në rrugë”. Orgesa na tha se shumë shpesh i anulon planet ose thjesht nuk del për shkak se kthimin duhet ta bëjë vetëm dhe ajo nuk mendon që është e vetmja që ndihet ashtu.

“Disa nga problemet që më ndodhin gjatë ecjes në rrugë është ngacmimi me fjalë që teprohet, komentimi i pamjes apo veshjes time – për të cilat definitivisht disa nga fjalët që dëgjoj janë të shpifura e sidomos kur vijnë nga burra në moshë qe mund të jenë edhe të martuar,” thotë ajo, duke shtuar se e vetmja masë që mendon se mund ta ndihmonte është të ishte e shoqëruar nga dikush – specifikisht nga një djalë.

“Fajtori i vetëm në këtë situatë është ngacmuesi. Janë ata që lëshojnë fjalë, janë ata që ngacmojnë e janë pikërisht ata që të ndjekin. Nuk e besoj që ndodhë kjo gjë nga gratë. Nuk kam dëgjuar ndonjë rast që një burrë është ngacmuar nga një grua. Nuk e arsyetoj dhe nuk e marrë për bazë arsyetimin ‘po leje se është djalë’ apo ‘nuk e përmban dot veten ai se kështu është’. Këto arsyetime janë të patolerueshme sepse këto ndihmojnë ngacmuesin të vazhdojë të ngacmojë i qetë,” tha Orgesa për Grazetën.

Ajo thotë se shumë prej këtyre ngacmimeve apo ndjekjeve mund të përfundojnë edhe në abuzim seksual, duke shtuar: “Ngacmime të tilla më kanë ndodhur shpesh por një rast që me të vërtetë kam pasur frikë ishte kur një djalë vendosi të më ndiqte me biçikletë për 20 minuta dhe më fliste tërë kohën. Kjo ka ndodhur në qytet dhe askush nuk e merrte guximin apo nuk provoi t’i thoshte të largohej duke e parë se sa në siklet po ndihesha. S’ka qenë as vonë, ka qenë diku 7 pasdite. Pra, nuk ka rëndësi se çfarë ore, veshje apo vendi je – ngacmimet ndodhin pa përjashtime”.

Orgesa u shpreh për Grazetën se këto ngacmime zakonisht e bëjnë të ndihet pak e pafuqishme sepse edhe pse ajo mundohet të mos u flas apo t’i injorojë, ato prapëseprapë vazhdojnë të ndodhin.

“Përveç që ndihem e pafuqishme, më shumë ndihem e zemëruar dhe e zhgënjyer me botën dhe me faktin që neve si vajza do na duhet të ballafaqohemi gjithmonë me gjëra të tilla dhe kurrë nuk jemi të sigurta,” e përmbyll Orgesa rrëfimin e saj për Grazetën.

“Kjo gjë më irriton, më bën të ndihem e pasigurt, jo rehat dhe e pafuqishme”

Edhe 17 vjeçarja Erina Hoxha tha për Grazetën se gjenerata e saj nuk ndihen të sigurta të ecin vetëm në rrugë sepse ka mundësi të madhe që do të ngacmohen, qoftë me fjalë apo edhe më keq.

“Në rrugë, përveç fjalëve të pahijshme që të bëjnë të ndihesh jo rehat, akoma më shqetësues është fakti që i dëgjon ato fjalë nga burra të moshave 40-60 vjeçare. Ky problem duhet të konsiderohet e të vendoset si prioritet në shoqërinë tonë e në mbarë botën,” thotë Erina, duke shtuar se vetëm përmes vetëdijesimit dhe edukimit të gjeneratave, e në veçanti të djemve, mund të pakësohet ky problem.

Erina po ashtu mendon se fajësimet e fokusi duhet të jenë te ngacmuesi dhe jo te viktima, t’i jepet hapësirë viktimës që të flas haptazi për atë që i ka ndodhur dhe të mos gjykohet e shikohet si jo e ndershme dhe si fajtore.

“Problemi nuk mund të zhduket tërësisht, por nëse punojmë që të largojmë këtë mentalitet që tenton të ul gruan poshtë, atëherë shpresoj që do të ketë ndryshime për të mirë. Ka shumë faktor që ndikojnë në këtë dukuri e nuk ka faj vetëm një, por në përgjithësi mendoj se faktori kryesor është mentaliteti i prapambetur që ka kufizuar gruan ndër vite në aspekte të shumta,” thotë Erina për Grazetën dhe më tej tregon se ka shumë raste kur është ballafaquar edhe vetë me ngacmime.

“Deri tani të gjitha kanë qenë vetëm fjalë, por një rast specifik që dua ta përmend është në rrethinën e shkollës, te vendi të cilin e frekuentojmë në pushim ose pas orëve, ku zakonisht rrinë nxënës, por mund të ketë edhe njerëz të tjerë. Kemi qenë një grup i vajzave të ulura aty pas mësimit dhe afër nesh një tavolinë me të gjithë burra më të vjetër. Ne ishim me uniforma të shkollës dhe çantat i kishim me vete – që të bëjnë të kuptosh se ende jemi në shkollë, nënmoshë. Por kjo nuk ndaloi tavolinën tjetër për të na ngacmuar me fjalë të ndryshme,” kujton Erina këtë ngjarje për Grazetën, duke shtuar fakti që as në rrugë, kafene dhe rrethinat e shkollës nuk mund të ndihesh e sigurt, është i trishtueshëm.

“Kjo gjë më irriton, më bën të ndihem e pasigurt, jo rehat si dhe e pafuqishme.”

“Gjithmonë i mbaj çelësat afër dorës nëse jam vetëm, më bëjnë të ndihem më e sigurt.”

Jora Susuri, 17 vjeçare, thotë për Grazetën se gjatë ditës ndihet e sigurt të ec vetëm, por jo edhe natën.

“Gjithmonë kam frikë se dikush do të më ndjekë, do të më thotë diçka apo edhe do të më rrëmbejë. Problemi më i madh që has në rrugë, pavarësisht a jam vetëm ose me dikë, janë fjalët e padëshiruara që i thonë personat që nuk i njoh – ndonjëherë edhe dikush që më ndjek,” thotë Jora.

Sipas saj, një nga masat që të zvogëlonte këtë problem është edukimi i nxënësve në mënyrën se si duhet të trajtohet një vajzë, ndryshimi i mentalitetit të vjetër “që i bënte vajzat të duken si krijesa të tjera, deri në masën që burrat nuk dinë si të sillen rreth tyre”.

Po ashtu, Jora thotë për Grazetën se mungesa e edukimit seksual – si në shkolla, ashtu dhe në familje – si pasojë e bën këtë temë tabu për shumë persona.

“Por, përderisa kjo kërkon kohë, çfarë do më bënte të ndihesha më e sigurt do të ishte lejimi i mbajtjes të gazit irritues. Për të qenë më e sigurt natën, mundohem që të mos jem vetëm – mundësisht edhe me shokë sepse nuk ngacmohem kur jam me ta. Gjithmonë i mbaj çelësat afër dorës nëse jam vetëm, më bëjnë të ndihem më e sigurt. E, fatkeqësisht me fenomenin e ngacmimit unë e shumë vajza jemi njoftuar që në moshë të re,” rrëfen Jora për Grazetën.

Ajo tregoi më tej se rasti më i hershëm që e mbante në mend që ishte ngacmuar ka qenë në pishinë.

“Isha 13 vjeçare dhe kisha veshur rroba banje. Një burrë teksa po kaloja më tha që ‘isha shumë e mirë dhe do të më merrte në shtëpi’. Pasi i thashë që isha e mitur, ai vetëm qeshi dhe tha që nuk ishte problem,” kujton Jora, duke shtuar se raste të ngacmimit fatkeqësisht i ndodhin sa herë që del, disa herë brenda ditës.

“Më bëjnë të ndihem e seksualizuar, e dehumanizuar. Shpesh ndihem sikur është faji im që nuk vishem në një mënyrë të caktuar, edhe pse kjo nuk e ndalon ngacmimin”.

Rrëfime si këto të Orgesës, Erinës e Jorës dëshmojnë për një problem në rritje të sigurisë së grave dhe vajzave kosovare që nuk e gëzojnë lirinë e njëjtë me burrat. Fakti se grave u mungon një liri elementare – siç është ecja natën – është alarmuese për shoqërinë tonë.

About the author

Elisa Braha

Elisa Braha

Elisa Braha është nxënëse e vitit të fundit në shkollën e mesme "Xhevdet Doda". Elisa është qytetare aktiviste për të drejtat e njeriut dhe merret me një numër të aktiviteteve dhe punëve vullnetare.

Add Comment

Click here to post a comment