Shtjellime

Të rrezikuara në botën virtuale, sikurse në botën reale

Ilustrimi: Hana Arapi/Amam Studio

“Mirëmëngjesi, rrush”, është njëri nga mesazhet me të cilin shumë njerëz e nisin ditën për së mbari, mirëpo për Bleonën* pas këtij mesazhi, gjatë ditës, kanë ardhur edhe shumë mesazhe të tjera të cilat e bënin atë të ndihej keq dhe t’i dilnin përpara syve edhe kur nuk i shikonte.

Fjala “mirëmëngjesi” për të ishte shndërruar në një fjalë e cila i asocionte me të gjitha gjërat negative dhe sa herë që përdorte telefonin kur ishte ulur afër dikujt tjetër ndjente frikën se mos dikush do i lexonte mesazhet të cilat e turpëronin.

“Frika më e madhe ka qenë në rrugë edhe kur më ka ardh një notification në prani të të tjerëve, sepse ka pas mesazhe të tmerrshme edhe nuk kisha idenë as më të vogël se kush po m’i dërgon, në çdo orë të ditës e natës, mesazhe të cilat nuk e kisha imagjinuar që mundet me t’i dërgu’ dikush,” tregon Bleona, e cila këto mesazhe i ka pranuar para 3 viteve kur ishte në moshën 19 vjeçare.

Gratë gjatë jetës së tyre përballen vazhdimisht me ngacmime të tilla dhe parandalimi i tyre në të shumtën e rasteve nuk është i mundur nga vetë ato.

“Ngacmimet dhe shantazhet seksuale  përcillen me ndjenjën e theksuar të turpit dhe duke marrë parasysh që turpi është një emocion i fuqishëm  moral, sa më e lartë të jetë audienca – e rrjetet sociale e sigurojnë këtë audiencë – aq më e theksuar është ndjenja e turpit, ndjenjë kjo e cila përcillet me mendime dhe shpesh herë edhe me veprime vetëvrasëse,” thotë për Grazetën Selvi Izeti Çarkaxhiu, psikologe klinike.

Egzona thotë se në atë kohë nuk iu kishte drejtuar policisë, por nëse tani do t’i ndodhnin gjërat e njëjta nuk do të mendohej dy herë për të lajmëruar rastin.

Edhe psikologia klinike, Selvi Izeti Çarkaxhiu thotë se nëse gratë përballen me raste të tilla, ato duhet t’i denoncojnë rastet në polici.

“Para së gjithash, kur një grua ballafaqohet me shantazhe apo ngacmim përmes rrjeteve sociale  duhet të bëhet raportimi në atë rrjet social, pastaj menjëherë në polici, sepse  në shumë raste, veprimet e abuzuesit mund të ndiqen,” ka thënë ajo për Grazetën.

Sipas psikologes është e rëndësishme që të mos i përgjigjeni mesazheve ose postimeve nga  sulmuesi/abuzuesi. Është me rëndësi  të veçantë që të ndalen të gjitha  komunikimet  me abuzuesin, duke bllokuar adresën e tij të postës elektronike dhe format e tjera të komunikimit.

Raportimi i rasteve të tilla bëhet edhe në Policinë e Kosovës, në të cilat raste nuk janë të përfshira vetëm gratë.

“Nga shtatori 2019 deri më 31 korrik 2020 nga Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike janë hetuar 43 raste në nivel qendror, kurse është asistuar në 212 raste të cilat janë mundësuar të kryhen nga interneti,” thuhet në përgjigjen e Zyres për Informim në Policinë e Kosovës.

Në dhjetorin e vitit 2019, pasi që Egzona* nuk kishte pranuar kërkesat e personit që e kishte shantazhuar, ishte krijuar një grup. Egzona ishte duke ndejtur në dhomën e ndenjës me familjen e saj. Me formimin e një grupi në platformën “Viber” nga një përdorues i panjohur për të tjerët, por jo për Egzonën, të gjithë antarët e familjes morën telefonat në duar dhe pastaj shikuan njëri-tjetrin nëse e kishin pranuar të gjithë njëjtin mesazh.

“Unë kam pranuar mesazhe të tilla për një kohë të gjatë. Unë kam pas lidhje shumë të mirë në fillim me djalin prej të cilit i kam marr mesazhet, mirëpo problemi ka qenë se unë kam dërguar edhe foto në të cilat kam qenë edhe më provokuese.”, tregon Egzona* për Grazetën.

Ato mesazhe përmbanin fotografi të saj, në të cilat ajo kishte një dukje të cilën familja e saj e konsideronin provokative dhe që kishte ndikuar që me pranimin atyre mesazheve të prisheshin raportet mes saj dhe familjes.

Prindërit kishin vendosur të mos diskutonin asgjë me të, vetëm duke i thënë “ftyrën na e paske marrë”.

Ngacmimet kibernetike mund të ndodhin në çdo vend dhe në çdo kohë.

“Ndryshe nga ngacmimi tradicional, ngacmimi në internet nuk kërkon kontakt ballë për ballë, nuk kërkon forcë dhe ndodhë kudo, madje edhe në vendin ku pritet të ndihesh më sigurt, në shtëpi, përmes telefonave të mençur, postave elektronike, teksteve dhe mediave sociale, 24 orë në ditë dhe me qindra njerëz potencialisht të përfshirë.”, shpjegon Selvi Izeti Çarkaxhiu për Grazetën.

Shantazhi në publik

Sikurse në shumë vende të botës, edhe në Kosovë vajzat përballen me keqpërdorimin e identitetit në publik dhe vetë vajzat janë të fundit që e kuptojnë se fotografia, videoja dhe emri i tyre është duke u përdorur në publik, atëherë kur publikimet arrijnë deri tek rrethi i tyre shoqëror.

Në prill të 2020-s, Linda Mustafa, së bashku me dy shokët e saj, Paris Gurin dhe Roni Idrizajn, kanë  krijuar një grup në Facebook me emrin “KputeUrrejtjen”, përmes të cilit diskutohet gjithçka që cenon identitetin dhe promovon dhunë, racizëm e homofobi.

Linda tregon se personave të cilëve u është keqpërdorur identiteti nuk kanë raportuar direkt tek grupi me qëllim të ruajtjes të privatësisë, por raportimin e kanë bërë përmes shoqërisë së tyre ose njerëzve të tjerë.

“Kemi pas shumë raste të tilla ku është kërkuar nga ne të mobilizohemi që ta mbyllim një faqe që poston dhe shantazhon njerëz, kryesisht vajza të mitura dhe gra. Rastet postohen në grupin #KputeUrrejtjen dhe më pas raportohen për mbyllje nga aktivistët. Për ta ruajtur privatësinë e viktimës, shëndetin mendor dhe për mos të shpërndarë akoma më shumë përmbajtjen shantazhuese, ne mobilizohemi në grupe të vogla dhe pastaj e raportojmë përmbajtjen,”  ka thënë Linda Mustafa për Grazetën.

Në anën tjetër, psikologia Izeti-Çarkaxhiu ka treguar për Grazetën se përdorimi me intensitet të lartë i mediave sociale mund të na ekspozojë në rreziqe të ndryshme. “Në vitet e fundit, dhuna gjinore në internet në forma të tilla si kërcënime, shantazhime, abuzim të bazuar në imazhe me ‘përmbajtje të papërshtatshme’, dërgim të mesazheve me përmbajtje eksplicite, etj,” thotë ajo, duke shtuar se kjo është bërë gjithnjë e më e përhapur, tejet e dëmshme dhe me efekte shkatërruese për viktimat.

Përmes grupit “KputeUrrejtjen” janë larguar shumë postime me përmbajtje raciste, seksiste, homofobe dhe shantazhuese nga platformat Facebook, Youtube dhe Instagram. Psikologia Izeti-Çarkaxhiu kërkon që personat të cilët ‘bien pre’ e këtyre ngacmimeve të flasin me të tjerët.

Kësisoj, kjo vazhdon të jetë një shqetësim tejet i madh për shumëkë në Kosovë, sidomos për vajzat e reja. Por, për shkak të kulturës së tabuve sociale dhe koncepteve patriarkale të “mbrojtjes së nderit”, shumë vajza nuk pranuan të intervistoheshin as me emër anonim për këtë shtjellim të Grazetës. Në fakt, ky ishte një konfirmim i faktit se sa shqetësues është një fenomen i këtillë tek ne.

* Emrat janë ndryshuar për ta mbrojtur privatësinë e të intervistuarve

About the author

Gentiana Ahmeti

Gentiana Ahmeti

Gentiana Ahmeti është gazetare e diplomuar në Universitetin e Prishtinës dhe punon si gazetare në Kallxo.com. Gentiana kryesisht shkruan për çështjet e arsimit dhe çështjet e të drejtave të njeriut.

Add Comment

Click here to post a comment