Shtjellime

Papunëdemia

Çdo ditë kur ora shënonte 8 të mëngjesit, pllaka montuese në kuzhinë vihej në shërbim të vlonte një xhezve me kafe dhe t’i mbushte dy filxhanë me pika me kafe të mesme turke. Nën aromën e kafes së valuar, e shoqëruar me timin e cigares, niste ditën Arjeta, së bashku me burrin e saj, Shabanin.

Përderisa pinte kafe, në të njëjtën kohë ajo përgatiste corn flakes për fëmijët, e këta të fundit  silleshin sa andej e këndej nëpër sallon duke mbledhur ngjyrat, lapsat e fletoret për t’i futur në çantë dhe për t’u nisur bashkë me prindërit për në shkollë. Kështu zakonisht fillonte dita për Arjeta Borovcin nga Kamenica, me profesion kuzhiniere.

Mirëpo, ka muaj që ky skenar nuk ka ndodhur më. Situata pandemike, përveç që prishi ketë shprehi shumëvjeçare, po ashtu e la të papunë Arjetën.

Tashmë, ora 8 e mëngjesit e gjen atë në shtratin e saj, përderisa qe një kohë të gjatë nuk ka pasur aq shumë kohë për të menduar.

“Ditët para pandemisë ishin më të planifikuara dhe gjithçka shkonte në rrjedhën e vet. Ndërsa, tani çdo gjë është e koklavitur,” thotë Arjeta për Grazetën.

Ajo punonte në biznesin familjar “Restaurant Imeri” në Kamenicë si kuzhiniere, derisa situata pandemike, mbyllja e çerdheve dhe shkollave, e detyroi që ta ndërpriste punën dhe të përkujdesej për tre fëmijët e saj.

Kuzhiniere, në shtëpi

Tash, “konsumatorë” të rregullt të saj janë shndërruar fëmijët dhe familjarët e saj.

Përderisa burri i saj mundohej ta shpëtonte biznesin e familjes, të gjitha punët e shtëpisë i kishin mbetur Arjetës.

“Burri im mundohej që ta shpëtonte biznesin e familjes, ishte mjaft i stresuar dhe i angazhuar me problemet e punës dhe nuk ishte shumë aktiv me fëmijët si herëve të tjera’, thotë ajo për Grazetën.

Me paraqitjen e rasteve të para të të infektuarve me Covid-19, Qeveria e Kosovës e mori vendimin  për ndalimin e mësimit shkollor, ndërsa më pas filluan mbajtjen e mësimit online, vendim ky i cili e shtoi nevojën që njëri prind të qëndronte me fëmijët në shtëpi.

Kjo ishte edhe arsyeja përse Arjeta ndërpreu punën dhe filloi të ushtronte edhe profesionin e “edukatores”, duke u kujdesur për mbarëvajtjen normale të mësimit online të tre fëmijëve të saj.

“Ka qenë një kohë sfiduese për mua pasi që në të njëjtën kohë më është dashur te merrem me punët e shtëpisë dhe fëmijët, të cilët filluan me mësimin online që ishte diçka e re për ne si prindër,” tha Arjeta për Grazetën.

Masat e qeverisë kërkonin që njërit prind t’i mundësohej që të qëndronte në shtëpi dhe sigurisht që pandemia nuk i ndryshoi normat shoqërore kosovare, të cilat bënë që shumica e nënave të hiqnin dorë nga puna dhe të kujdeseshin për fëmijët.

Ndarja e përgjegjësive prindërore

Kjo situatë nuk ndodhi vetëm në vendin tonë. Sipas një studimi ndërkombëtar të kryer nga Boston Consulting Group, të dhënat tregojnë se të dy prindërit po angazhohen në përkujdesje të fëmijëve, por prapëseprapë gratë po e mbajnë barrën më të madhe. Sipas të dhënave, gratë tani shpenzojnë 15 orë në javë më shumë duke u marrë me punët e shtëpisë dhe përkujdesjen e fëmijëve krahasuar me kohën para pandemisë.

Indikator tjetër për ndërprerjen e punës nga ana e grave ishte e paga më e ulët krahasuar me atë të burrave, gjë që detyroi gratë të heqin dorë nga vendi i punës.

Një studim i realizuar nga Instituti Riinvest në vitin 2017 tregon se vetëm 26 përqind e grave që janë në lidhje civile, qoftë të martuara ose që jetojnë me partnerin e tyre, janë shprehur se janë burimi kryesor i të ardhurave në familjen e tyre, ndërsa në 62 përqind të rasteve shtylla kryesore e familjes është partneri i tyre.

Pandemia, pasqyrë e papunësisë

Në situatën e njëjtë si të Arjetës ndodhen edhe shume gra në Kosovë. Fillimi i pandemisë dhe vendimi për Pakon Emergjente ka vënë në pah numrin e madh të grave të papuna në këtë periudhë. Vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit 2020, në Agjencinë për Punësim të Kosovës janë regjistruar mbi 37 mijë të papunë, prej të cilëve ishin rreth 17 mijë gra.

Qeveria e kaluar e Kosovës, për të ndihmuar bizneset dhe qytetarët e goditur financiarisht nga pandemia, kishte aprovuar pakon emergjente, e cila ndër tjerash kishte paraparë asistencë mujore prej 130 eurove për tre muaj për ata persona që e kanë humbur vendin e punës.

Pandemia nuk është koha e vetme kur gratë kanë mbetur pa punë. Diskriminimi në punë në baza gjinore është një ndër problemet që përballen më së shumti gratë kosovare.

“Diskriminimi me bazë gjinore, si dukuri sociale, i ka rrënjët në stereotipat e thella, të krijuara në nivel shoqëror dhe kulturor, dhe në paragjykime që kanë të bëjnë me gjininë’, thuhet në raportin e Rrjeteve të Grave të Kosovës.

Sipas një raporti të Institutit GAP, shkalla e papunësisë tek burrat në vitin 2019 ishte 22.8 përqind, gjersa, në anën tjetër, shkalla e papunësisë tek gratë ishte 32.7 përqind. Derisa shkalla e punësimit të burrave ishte 45.9 përqind, ajo e grave 13.7 përqind, edhe pse numri i vajzave dhe grave që vazhdojnë të diplomojnë është më i madh. Sipas këtij raporti, numri i studentëve vajza të diplomuar në universitetet publike në nivelin bachelor dhe master në vitin 2017/2018 ishte 6,432, ndërsa 3,619 ishin persona të gjinisë mashkullore.

Shkalla e punësimit të grave është e vogël edhe në pozita të larta udhëheqëse. Ndonëse ligji për barazi gjinore parasheh 50 përqind të përfaqësimit të barabartë dhe kuota zgjedhore 30 përqind, sipas raportit të përformancës së komunave nga 420 pozita në kuadrin ekzekutiv komunal vetëm 119 janë gra. Situatë pothuajse e ngjashme ka qenë edhe në dy vitet e kaluara, 2017 dhe 2018, ku 29 komuna kanë raportuar se vetëm 29.99 përqind e të emëruarve në pozita politike janë gra. Momentalisht nuk kemi asnjë grua si kryetare komune.

Punësimi i pasigurt

Punësimi i grave nuk është pika ku përfundon gjithçka, shumica prej tyre përballen me probleme të tjera, si: ngacmimet seksuale në ambiente të punës, punësimi joformal dhe pushimi i lehonisë, si dhe mospërputhja mes arsimimit dhe punësimit.

Në anketat e realizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës, 337 persona kishin treguar se kanë përjetuar ngacmim seksual në vendin e punës. Ndërkohë, 32 përqind e grave kishin thënë se nuk i kanë treguar askujt për këtë, pasi që sipas tyre ‘duhej të merreshin vetë’.

Po ashtu, në një studim nga Instituti Riinvest mbi fuqizimin ekonomik të grave thuhet se një nga tri gra në sektorin privat nuk posedojnë kontratë pune.

Shkaktar tjetër për mospunësimin e grave del të jetë edhe planifikimi i krijimit të familjes, rrjedhimisht pushimi i lehonisë.

“Nga 937 gra të anketuara të cilat kishin aplikuar për punë në pesë vitet e fundit, 62.7 përqind kanë thënë se punëdhënësit i kanë pyetur për statusin martesor dhe planet për të pasur fëmijë.” shpjegon raporti i Rrjetit te Grave te Kosovës për arritje te ekuilibrit.

Përveç numrit të vogël të grave të punësuara, analiza e GAP sqaron se në Kosovë paraqitet edhe një mospërputhje mes arsimimit dhe punësimit. Sipas kësaj analize, gratë punojnë më shumë në fushën e arsimit të tyre, por paraqitet problem kur këto fusha janë fusha të cilat normat shoqërore i kanë përcaktuar si punë të burrave.

“Megjithatë, ky dallim pozitiv për gratë në përgjithësi dobësohet për ato që kanë ndjekur fusha arsimore si drejtësi apo inxhinieri, dhe që punojnë në industri si bujqësi, prodhim, dhe tregti me shumice e pakicë,’ thuhet në këtë analizë.

Prej kohës së shfaqjes së pandemisë, jeta shëndetësore, ekonomike e sociale e secilit person ka ndryshuar. Veçanërisht e grave. Nëpër botë, pavarësia ekonomike e grave po konsiderohet si viktimë e heshtur e pandemisë, kurse në vendin tonë pandemia e ka rënduar edhe më shumë gjendjen për gratë.

Ilustrimi: Hana Arapi/Amam Studio

About the author

Argnesë Haxhijaj

Argnesë Haxhijaj

Argnesë Haxhijaj ka përfunduar studimet e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Momentalisht është duke u marrë më shumë me fushën e PR si dhe është pjesë e projektit të Deutsche Welle–Balkan Booster.

About the author

Malbora Ahmetaj

Malbora Ahmetaj

Malbora Ahmetaj është gazetare e diplomuar, studimet Bachelor i ka përfunduar në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë pjesë e numrit të parë të revistës “Intro” e cila ka trajtuar edukimin mbi median dhe informacionin. Krahas studimeve ka marrë pjesë edhe në trajnime të shumta rreth fushës së gazetarisë dhe drejtësisë. Momentalisht është e angazhuar në projektin e monitorimit të mediave vendore në kuadër të “MM Media LLC”.

About the author

Reita Demi

Reita Demi

Reita Demi ka përfunduar studimet për Gazetari në Universitetin e Prishtinës. Gjithashtu, ka studiuar për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Kolegjin AAB. Reita ka shkruar artikullin ”Fuqizimi i qytetarëve përmes medieve” në numrin e parë të revistës Intro, në kuadër të Departamentit të Gazetarisë në UP.

Add Comment

Click here to post a comment