Që nga paraqitja e parë e dallimeve gjinore në 1894 në librin ‘’Burri dhe gruaja’’ të Havelock Ellis, këto dy terme kanë krijuar antonimet më të njohura në histori që përbëjnë botën tonë binare si femër-mashkull, maskulinitet-feminitet, homoseksual-heteroseksual e shumë të tjera. Gjatë pritjes së një fëmije, prindërit kanë ceremoni të ‘’zbulimit’’ të seksit të fëmijës dhe njëkohësisht supozojnë gjininë e tyre kurse para ditës së parë të mësimit, shkolla duhet të plotësojë opsionin ‘’djalë’’ apo ‘’vajzë’’ për nxënësit.
Kjo metodë ka përcjellë shoqërinë që moti dhe e përcjellë individin gjatë tërë jetës, ku pritshmëritë për sjelljet, veshjet dhe tiparet e personalitetit paraqiten në të gjitha fushat e jetës. Mirëpo aktivizmi social dhe hulumtimet akademike të viteve të fundit kanë bërë presion në emërtimin binar të përdorur deri tani si në gjini, orientim seksual, e shumë dimensione të tjera jo-gjinore.
Ideja se gjinia është konstrukt social i ndarë nga seksi ynë biologjik është mjaft e përhapur në literaturë. Mirëpo, fatkeqësisht gjinia jonë konsiderohet statike, fillon dhe përfundon ende pa ardhur ne në jetë, mësohemi se gjinia jonë është diçka jo e jona, diçka e paracaktuar, diçka e pandryshuar. jonë fillon dhe përfundon me përcaktimin e seksit tonë biologjik rreth javës së 14 të shtatëzanisë të nënave tona. Çka duhet kuptuar është se edhe pse gjinia e një personi mund të fillojë me caktimin e seksit të tyre, ajo vazhdon të zhvillohet me ndërveprimin e trupit, identitetit dhe të shprehurit tonë individual, do të thotë shumë më vonë se në javën e 14 të krijimit tonë mund të kuptojmë se cilës gjini i përshtatemi ose jo.
Fillimisht, edhe pse termi interseks është përdorur për herë të parë në vitin 1917, shoqëria vazhdon të mendojë në mënyrë binare edhe për seksin biologjik, si femër apo mashkull. Pavarësisht, gjinia e një personi dhe lidhja e saj me trupin shkon përtej organeve të riprodhimit. Këtu inkorporohet edhe shprehja gjinore që përfshin sjelljet tona, dukjen tonë, interesat tona që zakonisht vendosen në një spektër të maskulinitetit dhe feminitetit që përfshin rolet e paravendosura nga shoqëria. Të gjitha këto elemente që konsiderohen brenda domenit të një gjinie përjetojnë ndryshime të shumta që ndikojnë në afrimin ose largimin me gjininë e një individi.
Ndryshimet në sistemet diagnostifikuese në dekadat e fundit tregojnë për një vlerësim më të lartë të gjinisë, shprehjes dhe seksualitetit të individit dhe kjo duhet të reflektojë në besime më të gjera kulturore. Por, dhe me këtë liri të krijuar për të hulumtuar identitetin gjinor, njerëzit ndjehen të pasigurtë të dalin jashtë kufijve binarë. Si demonstrim, në një studim me 790 pjesëmarrës nga Lindqvist, et al. në vitin 2020, ku gjinia u përcaktua me përgjigje të lira nga ta, vetëm gjashtë persona përdoren terme të ndryshme prej ‘’burrë’’ dhe ‘’grua’’. Arsye për këtë është pikërisht frika për të dalë jashtë rregullave gjinore që shumë individë e shohin si diçka të pasigurtë dhe të rrezikshme për sigurinë dhe lirinë e tyre.
Add Comment