Shtjellime

Qytetarët e revoltuar, kërkojnë drejtësi për vrasjet e grave edhe këtë 8 mars

Foto: Uka Salihu

Ky 8 mars – Dita Ndërkombëtare e Grave, nuk i gjeti aktivistët vetëm në sheshin e Prishtinës, si viteve të kaluara, por marshuan edhe në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali e te Rrethi i Flamurit në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Obiliq, Pejë, Gjilan, Rahovec, Lipjan, Shtime, Vushtrri e qëllimi mbeti i njejtë: Luftimi i patriarkalizmit që vret përmes rikujtimit të sakrificave të grave për çlirim nga shfrytëzimi dhe pabarazia.

May be an image of 7 people and people standing
Foto: Uka Salihu

“Këtë 8 mars është shprehur nevoja që të protestohet më shumë dhe të vihet në pah edhe njëherë, vrasja e grave për arsye se çdo vit kemi pothuajse rritje të numrit të vrasjes dhe dhunës në familje që kryesisht janë nga burrat”, u shpreh Egzona Sijarina, njëra nga aktivistet e marshit të sivjetëm.

Nga viti 2010 deri më sot janë vrarë 48 gra nga burrat. “Vrasja e grave nuk është çështje private, vrasja e tyre është politike, gjinore”, u tha në njoftimin e MARShojmë S’festojmë. Edhe këtë vit u bërtit rrugëve kryesore të Prishtinës, Prizrenit, Shtimes, Vushtrrisë, Obiliqit, Mitrovicës, Rahovecit, Gjilanit e Pejës për keqtrajtimet, dhunimet, kërcënimet, e vrasjet e grave. Ky vit ka nisur me femicid i cili normalizohet shpejt e nuk dënohet nga institucionet patriarkale. Revolta ndaj dhunës sistematike ndaj vajzave e grave u shpreh edhe në këtë marsh.

May be an image of 5 people and people standing
Foto: Uka Salihu

Tutje, Egzona shtoi “Mund të them lirisht që marshi i sotëm ishte madhështor, si nga mënyra e organizimit, thirrjeve dhe numrit të pjesëmarrësve të cilët përkundër temperaturave jo shumë të favorshme kishin vendosur të jenë pjesë e marshit që nga ndalesa e parë tek Pallati i Drejtësisë ku vazhdoi ecja në këmbë deri tek ndërtesa e Qeverisë, me ç’rast marshit i janë bashkuar një numër i madh qytetarësh, e që mua personalisht më bëri përshtypje pjesëmarrja e shumë grave më të moshuara”.

Gjatë marshit dy orësh në Prishtinë, dëgjoheshin thirrje: “Asnjë më shumë”, “Marshojmë, s’festojmë”, “Nuk po du lule, po du kontratë pune”, “Edhe sa thirrje të humbura”, “Drejtësi për Gratë e Vrara”, “Punë e barabartë për pagë të barabartë”, “Punë për mu, çfarë pune du”, “Liri, Barazi, Solidaritet”.

May be an image of 7 people, people standing and outdoors
Foto: Uka Salihu

“Sot kemi dal në protesë jo vetëm të mbushim numrin me pjesëmarrjen fizike, sot nuk kemi dal vetëm për t’i adresuar pakënaqësitë tona, sot kemi dal për të protestur për atë e cila na përket, por na është mohuar”, tha Floriana Alija, pjesë e marshit të sotëm.

Gjatë protestës, protestuesit kanë ngjyrosur tokën me mbishkrime “Edhe sa thirrje të humbura”, duke simbolizuar vrasjet e grave. Kurse, këtë vit te zyret e Avokatit të Popullit është lëshuar një çarçaf i kuq, mu për të njejtin qëllim.

Vjollca Krasniqi, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës në departamentin e Punës Sociale në Fakultetin Filozofik, ishte edhe njëra nga marshueset e cila u shpreh që, “Një nga pikat e adresimit është dhuna në baza gjinore dhe sot ndërgjegjësimi i insititucioneve për femicidin – vrasjen e grave, sepse shpeshherë gjykatat kanë ofruar dënime të ulta për vrasjet e grave”.

Ndërsa, Adonisi, 18 vjeçar, po ashtu pjesë e marshit u shpreh mjaft i revoluar në marshin e sivjetëm, “Tema e marshit të sivjetëm duhet të na bashkojë të gjithëve, viti ka nisur me vrasje të grave – ende në këtë shekull ne duhet të kërkojmë të drejta të cilat në kushte normale duhet të jenë të garantuara”.

No photo description available.
Foto: Uka Salihu

Mendësia patriarkale, që ende është ekzistente në shoqërinë tonë e edhe përtej, ka bërë që shoqëria jonë të reagoj në këtë mënyrë në Ditën Ndërkombëtare të Grave.

Eurona Hashani nga Obiliqi tha, “Sot për mua nuk është festë, sot është protestë për të drejtat e secilës vajzë e grua”.

Obiliqi ishte njëra ndër komunat që iu bashkua iniciativës Marshojmë S’festojmë, ku janë bashkuar me aktivitetin “Këpucët e Kuqe”. Arba Mirena, drejtoresha e DKRS-së, ka potencuar se përmes shënimit të këtij aktiviteteti gratë e komunës së Obiliqit kundërshtojnë çdo formë dhune që cenon dinjitetin e gruas e deri në marrjen e jetës.

Deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim nga institucionet e Kosovës.

May be an image of 3 people, people standing, crowd and road
Foto: Uka Salihu

Pra, edhe ky 8 mars u manifestua me kërkesën për të qenë të bashkuar për të kërkuar drejtësi gjinore dhe sociale në Kosovë, duke i rezistuar dhe luftuar sistemin patriarkal deri në shpërbërjen e tij, i cili po shtyp dhe diskriminon çdo ditë.

Marshimi i këtij 8 marsi, u bë për një të ardhme më të mirë!

About the author

Artiola Babuni

Artiola Babuni

Artiola Babuni ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës, në Departamentin e Shkencës Politike. Ajo po i vazhdon studimet edhe në departamentin “Menaxhment dhe Marketing” në Kolegjin Riinvest. Aktualisht, Artiola punon në KosovaLive si menaxhere e projekteve dhe është bashkudhëheqëse e GlobalGirl Media Kosova.

About the author

Blerona Zariqi

Blerona Zariqi

Blerona Zariqi është duke studiuar në Universitetin e Prishtinës, në Departamentin e Sociologjisë. Aktualisht, Blerona punon në KosovaLive si asistente e projektit.

Add Comment

Click here to post a comment