Shtjellime

Pandemi për të gjithë, barazi vetëm për disa?

Edhepse gratë janë pjesë e fuqisë punëtore, shpesh gjinia është një faktor i injoruar gjatë planifikimit të rregullt të politikave dhe sidomos gjatë emergjencave të ndryshme. Gjatë këtyre krizave, pritet që politikat më efektive të jenë ato që adresojnë në kohë sfidat e të gjithëve pa dallim. Kur një vend përballet me ndonjë krizë shëndetësore, udhëheqësit e atij vendi duhet të përshtaten shpejt dhe të marrin masa. Por, në raste të caktuara, faktori i fundit që ata marrin në konsideratë është gjinia.

Reagimi ndaj pandemisë dhe masat e ndërmarra nga qeveria e Kosovës shërbejnë si një pasqyrë e mirë për të testuar sa është marrë parasysh faktori gjinor në planifikim të politikave dhe masave anti- COVID.

Ndikimi i pandemisë në bizneset e udhëhequra nga gratë

COVID-19 ka paraqitur sfida edhe për vendet më të zhvilluara të botës, megjithatë kërcënimi për vendet në zhvillim si Kosova është edhe më i rëndë. Kosova ka miratuar masa të ndryshme politike për menaxhim të situatës së COVID-19, të fokusuara në mirëqenien sociale dhe mbështetjen e bizneseve.

Mbështetja e ndërmarrësve dhe bizneseve të vogla duke krijuar mundësi për to që të zhvillohen është thelbësore për rritjen e produktivitetit, krijimin e vendeve të punës dhe nxitjen e ekonomisë sonë përgjithësisht por edhe në kohë të krizave. Kur flasim për biznese  të vogla i kam në mend edhe bizneset e udhëhequra nga gratë, nga të cilat 4/5 janë biznese individuale. Sado universale që kanë qenë vështirësitë për biznese, sfidat kanë qenë edhe më të mëdha për bizneset e vogla në pronësi të grave. Kjo sepse historikisht, bizneset e udhëhequra nga gratë shoqërohen me fitime mesatare më të ulëta, madhësi më të vogël, më pak punonjës dhe vështirësi më të mëdha për huamarrje.

Arsye tjetër pse bizneset e udhëhequra nga gratë pësuan gjatë kësaj krize ështe fakti se 31 përqind e këtyre bizneseve janë në sektorin e shërbimeve, i cili ka pësuar më së shumti për shkak të uljes së kontaktit njerëzor dhe politikave që zbusin ekspozimin gjatë pandemisë. Për më tepër, mbyllja e shkollave dhe kopshteve gjatë pandemisë ka shtuar barrën e kujdesit familjar mbi supet e grave ndërmarrëse, duke ua vështirësuar atyre punën në drejtim të biznesit të tyre në kohë të vështira ekonomike.

Bazuar në gjetjet nga Oda Ekonomike Amerikane me biznese të grave në sektorë të ndryshëm anembanë Kosovës, shumica (67%) e bizneseve konsideronin që pandemia ka pasur një ndikim shumë negativ në bizneset e tyre, ku  70 përqind e bizneseve të anketuara thonë se ka patur ulje të kërkesës për produkte dhe shërbime në bizneset e tyre gjatë gjysmës së parë të vitit 2020. Po ashtu, sipas Vlerësimit të Shpejtë të Ndikimit Social-Ekonomik (SEIA) nga UNDP, rezulton se shumë më pak ndërmarrje në pronësi të grave ishin në gjendje të përballonin situatën aktuale për periudhë më të gjatë se gjashtë muaj, krahasuar me ndërmarrjet në pronësi të burrave.  

Çfarë u bë gjatë kësaj kohe krize dhe si u ndihmuan gratë ndërmarrëse?

Fatkeqësisht, akoma mbetet sfidë krijimi i një pasqyre të qartë sa i përket tërësisë së masave të ndërmarra nga institucionet e Kosovës dhe, vecanërisht, sa i përket ndikimit të tyre real afatshkurtër dhe afatmesëm në bizneset në pronësi të grave. Kjo për faktin se mbledhja dhe rrjetëzimi i këtyre ndihmave dhe politikave publike të dhëna nga shumë sektorë është sikur një ‘puzzle’ të cilës i kemi humbur shumë pjesë. Para së gjithash, informimi jo i duhur mbi punën që është bërë gjatë kësaj kohe si dhe mungesa e të dhënave dhe monitorimit janë faktorët që e bëjnë të pamundur vlerësimin e duhur për të parë se a janë marrë masat e duhura për gratë ndërmarrëse.

Qeveria e Kosovës ndërmorri hapa për tu përballur me sfidat e paraqitura nga pandemia që nga marsi i vitit 2020 me inicimin e Pakos Fiskale Emergjente, ku pjesa e dytë përfshinte edhe mbështetjen e sektorit privat ku hyjnë edhe bizneset e menaxhuara nga gratë dhe gratë e vetëpunësuara. Kjo u bë në formë te subvencionimit të pagave dhe qirave, si dhe përmes pagesave të njëhershme. Sipas një hulumtimi të Odës Ekonomike Amerikane, numri i grave që kanë përfituar nga Pakoja Fiskale Emergjente nuk ishte i lartë dhe vetëm 10% thanë se kjo pako ka adresuar nevojat e tyre. Prandaj lind pyetja se a ishin të mjaftueshme dhe të mirëmenduara në aspekt gjinor dhe sektorial transferet e njëhershme për bizneset që të përballojnë goditjet e pandemisë dhe të përmirësojnë qëndrushmërinë e biznesit për disa muaj, deri sa u krijua pakoja tjetër?

Sidoqoftë, Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike i hartuar nga Qeveria e Kosovës parashihte të përfshinte sa ma shumë sfera të shoqërisë, duke mbështetur ndër të tjera, zhvillimin e biznesit dhe luftimin e pabarazinë. Si pjesë e këtij programi përfshiheshin gratë në biznes në formë direkte dhe indirekte. Specifikisht, u krijua një Dritare që i dedikohej bizneseve në pronësi të grave në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe në kuadër të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK). Sipas të dhënave të FKGK për vitin 2021, gati 13 përqind e kredive të garantuara janë për gratë ndërmarrëse në sektorin e tregtisë, shërbimeve, prodhimtarisë, bujqësisë, dhe ndërtimtarisë. Dritarja e krijuar për gra në biznes gjatë pandemisë krahasuar me kreditë e garantuara gjatë viteve të kaluara pa këtë dritare , ishte më e lartë për 8.5% gratë ndërmarrëse. Bazuar në këto të dhëna, shihet se kjo Dritare ka patur ndikim pozitiv dhe ka treguar se mbështetje të tilla duhet të vazhdojnë të përdoren për një periudhaë afatgjate pas pandemisë.

Qeveria e Kosovës ka alokuar 2 milionë Euro për Agjencinë për Barazi Gjinore (ABGJ) në mbështetje të grave. ABGJ ka financuar në vlerë prej 1 Milion euro 115 kopshte private dhe në partneritet publiko-privat, pjesa më e madhe e të cilave udhëheqen nga gratë. Ndërsa, pjesa e mbetur, ka mbështetur 24 Organizata Joqeveritare (OJQ) të grave, si dhe drejtpërdrejtë 273 biznese të vogla të menaxhuara nga gratë. 

Përveç këtyre janë ndërmarrë edhe iniciativa të tjera duke përfshirë mbështetjen nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (me gjithsej 470,000 euro), e cila synon të mbështesë bizneset në pronësi të grave, si dhe mbështetjet tjera nga donatorët, bankat zhvillimore, shoqëria civile, OJQ-të etj.

Cili ka qenë efekti real i këtyre masave?

Edhepse këto iniciativa/masa janë një hap i mirëpritur për të mbështetur bizneset e grave, megjithatë, ka pasur shqetësime për neglizhencë duke qenë se shumë nga aspektet dhe sfidat e bizneseve të grave nuk janë marrë parasysh gjatë dizajnimit të masave.  Pra, janë shfaqur mangësi të konsideruara në leximin e drejtë të situatës dhe problemeve të bizneseve të udhëhequra nga gratë. Si rezultat, shumë gra ndërmarrëse vazhdojnë të konsiderojnë veten të pambështura për të përfituar nga këto masa dhe/ose mund të mos i shohin këto masa të krijuara me qëllim për t’i ndihmuar ato.

Po të shohim anën tjetër të medaljes, periudha e pandemisë ka ndikuar pozitivisht në disa nga bizneset e vogla të menaxhuara nga gratë, duke i bërë ato të përshtaten me punën në distancë, të përqendrohen drejt modeleve të reja, me pak fjalë të bëjnë gjithçka që munden për t’i mbajtur dyert e tyre të hapura.  Po ashtu, pandemia bëri që gratë ndërmarrëse të shfrytëzojnë më shumë mundësitë teknologjike për të pasur një stabilitet dhe zhvillim në bizneset e tyre. Sipas të gjeturave të Bankës Botërore në Kosovë, bizneset e drejtuara nga gratë rritën përdorimin e platformave digjitale për të ndihmuar bizneset e tyre.

Pavarësisht gjithë këtyre masave, pjesë e të cilave ishin bizneset e grave, akoma ka mungesë të të dhënave të detajuara dhe të qarta për të vlerësuar se sa dhe si ishte ndikimi i tyre në përmirësimin dhe rritjen e qëndrueshmërisë së bizneseve të grave. Prandaj, politkbërësit duhet të zhvillojnë iniciativa në të cilat përfshihet kontributi i grave në rimëkëmbje. Institucionet duhet të ndihmojnë gratë të kenë paga dhe mundësi të barabarta, skema sociale, qasje në shërbimet financiare dhe të promovojnë zgjidhje të përshtatshme për zgjerimin e biznesit të tyre.

Në një krizë të përmasave të COVID-19, të gjeturat që analizojnë ndikimin e pandemisë në kohë janë të nevojshme për të ndihmuar në hartimin e masave, dhe për të përcaktuar nevojën për mekanizma shtesë. Të gjithë politikat, qofshin ato afatshkurtëra apo afatgjate, duhet të dizajnohen duke marrë parasysh aspektin gjinor. Si përfundim, kjo situatë duhet të shërbejë për të na vetëdijësuar si shoqëri dhe institucione për domosdonë e ndërmarrjes në vazhdimësi të veprimeve në aspektin e ndërtimit të më shumë kornizave mbështetëse dhe planeve gjithëpërfshirëse gjinore për një menaxhim më të mirë të situatave.

Ky artikull është pjesë e një projekti hulumtues në kuadër të Kosovo Research and Analysis Fellowship, të mbështetur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur.

About the author

Hana Bacaj

Hana Bacaj

Hana Bacaj është hulumtuese shkencore në sektorin e zhvillimit. Hana ka përfunduar studimet e masterit në Zhvillimin Ekonomik dhe ka certifikatë në Studimet Gjinore dhe të Grave nga Universiteti Vanderbilt në Tenesi të ShBA-së. Hana merret kryesisht me komunitetet në nevojë, kryesisht duke u përqëndruar në arsimimin dhe punësimin e grave, të rinjve dhe grupeve të tjera të cenueshme.

Add Comment

Click here to post a comment