Vox

Edhe një barrierë tjetër për gratë në politikë: Sulmet

Megjithëse shteti i Kosovës krenohet për përfaqësimin e drejtë, krenaria bie përtokë shumë shpejt kur vjen fjala për përfaqësimin e grave në politikë.

Kosova ka përfaqësim në Kuvend të komuniteteve joshumicë në proporcion me përqindjen e tyre në popullsinë e përgjithshme, por ky trend ndryshon te përfaqësimi i grave. Komunitetet joshumicë përbëjnë më pak se rreth 10 për qind  të popullsisë së Kosovës, por kanë 20 vende të garantuara në Kuvend. Ata kanë gjithashtu kuotë etnike edhe në qeveri dhe institucione tjera të Kosovës, gjë që nuk ndodhë me gratë që përbëjnë gjysmën e popullsisë. Duke munguar kuota gjinore në qeveri, ministret gra në të gjitha qeveritë e pasluftës mund t’i numërosh në gishta të dorës.

Ndonëse kemi kuotën gjinore që ndihmon përfaqësimin në Parlament dhe në listat e partive, kjo përsëri nuk mjafton për t’i mbajtur gratë në politikë, por duhet punë më shumë.

Gratë në politikën kosovare hasin në barriera të shumta dhe të fuqishme, siç është pengesa për të kandiduar dhe për të qëndruar në politikë. Këto pengesa përfshijnë obligimet familjare (kujdesi ndaj fëmijëve dhe kujdesi ndaj familjes), mungesa e mbështetjes financiare, si barrierat shoqërore që pengojnë arsimin dhe punësimin e vajzave dhe grave.

Duke mos mjaftuar kjo, kohën e fundit janë rritur sulmet ndaj grave që janë aktive në politikë. Kjo ka krijuar pengesa shtesë ndaj tyre dhe i ka demotivuar vajzat e tjera të reja që dëshirojnë të merren me politikë.

Kur themi “sulme ndaj grave në politikë”, ne mendojmë: sulmet seksuale dhe fizike, sulmet psikologjike, si dhe gjestet simbolike ose kërcënimet ndaj grave që janë kandidate për deputete ose fitojnë ndonjë post publik.

Për shkak se në kulturën patriarkale, si kjo e jona, në raste të dhunës seksuale fajësohen viktimat, nuk ka raportime nga politikanet për sulme seksuale, ndonëse raste të tilla ka. Si sulm dhe abuzim seksual mund ta përmendim rastin e tentimit për sulm fizik dhe seksual nga deputeti i LDK-së, Xhavit Ukaj, ndaj kryetares së Parlamentit, Vjosa Osmani.

Ai ishte vërsulur ashpër drejt Osmanit gjatë një seance të muajit të kaluar, por se sulmi kishte edhe karakter seksual e kuptuam vetëm pas sqarimit të të gjithë situatës nga shefi i kabinetit të Osmanit, i cili tha se Ukaj iu kishte drejtuar Osmanit me fjalët: “Ule gishtin ose ta fus në b***”.

Për këtë sulm fizik dhe seksual deputeti Ukaj nuk ka kërkuar falje dhe as nuk është ndëshkuar nga partia. LDK-ja këtu çuditërisht nuk e përdori nenin (antidemokratik) për largimin nga partia të atyre që nuk pajtohen me qëndrimet e partisë. Ose, ndoshta sulmet seksuale dhe fizike ndaj grave i kanë pjesë të qëndrimeve të partisë?! (Ish kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli, së paku e pati kurajën që, pas sulmit të vrazhdë ndaj deputetes së LVV-së, Albulena Haxhiut, t’i kërkojë falje asaj, grave dhe opinionit).

Gjithashtu, se sulmet seksuale ndaj grave kryhen edhe nga vetë politikanët apo deputetët e Parlamentit të Kosovës, pati treguar edhe deputetja, Mimoza Kusari. Ajo në seancën kushtuar vajzës 16-vjeçare të abuzuar seksualisht nga mësuesi dhe polici në Skenderaj, pati denoncuar komentet për veshjen e deputeteve gra nga deputetët burra.

Se gratë janë objekt i dhunës në skenën politike kosovare dëshmon edhe rasti tjetër i gruas më të votuar në vend, Vjosa Osmanit, e cila është shkarkuar nga gjitha postet brenda partisë së saj, LDK-së, për shkak se qëndrimet e saj binin ndesh me qëndrimet e partisë. Po e njëjta gjë nuk po ndodhë edhe me nënkryetarin tjetër të LDK-së, Lutfi Haziri, i cili në kohët e fundit ka dalë kundër  ndaj të gjitha qëndrimeve të partisë së tij.

Pastaj sulmet psikologjike dhe sulmet seksiste vazhdojnë nga mediat dhe rrjetet sociale.  Aty sulmohen për dukjen, peshën, stilin dhe mënyrën e jetesës. Gratë politikane më të sulmuara janë Melihate Tërmkolli, Ganimete Musliu, Vjosa Osmani dhe Duda Balje.

Pjesëmarrja e grave në politikë pengohet edhe përmes sulmeve më të sofistikuara, si ai që në çdo diskutim ku kërkohet rritja numrit të grave në politikë thuhet se pozitën e grave në shoqëri nuk e ndryshon numri i grave, por projektet emancipuese. Por për këto projekte emancipuese as që diskutohet, në raste tjera përveç për të penguar aktivizimin e grave në politikë dhe atëherë kur diskutohet mungesa e tyre.

Sulmi i të njëjtit nivel është edhe rritja e standardeve dhe pritshmërive ndaj grave në krahasim me atë ndaj burrave. Një grua, për të qenë e denjë për pjesëmarrje aktive në politikë, duhet të jetë super e kualifikuar, të ketë oratori, të jetë e bukur, por jo shumë  e bukur se pastaj etiketohet me “skandale”, të mos jetë e korruptuar, të mos mendojë interesat e saj dhe të partisë, etj.

Në rubrikën Vox reflektohet qëndrimi i autorëve dhe jo domosdoshmërisht qëndrimi i Grazetës.

About the author

Arta Avdiu

Arta Avdiu

Arta Avdiu ka kryer studimet në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Gjithashtu ka punuar si gazetare për disa media vendore. Arta avokon rregullisht për barazi gjinore.

Add Comment

Click here to post a comment