Shtjellime

Fjalën e fundit nuk e thonë veç burrat

“Kam shumë guxim, ndonjëherë të tepruar”. Si të këtillë e vlerëson rrugëtimin e saj profesional gjyqtarja Afërdita Bytyçi, gruaja e parë që ka trajtuar raste të terrorizmit. Në karrierën e saj, shpeshherë është gjendur e vetme, mes burrave. Në vitin 2016, ajo ishte e vetmja kandidate grua në garën për të kryesuar Gjykatën Themelore në Prishtinë. Pavarësisht zërave si “ti s’mundesh” ose “a je tu e ditë se ku je tu shku”, synimi i saj nuk u tundua. Doli e para me pikë, si në testime, ashtu edhe me vota.

“Kandidimi nuk është pritur mirë as nga paraardhësi dhe as nga pesë kundërkandidatët e mi. Ka pasur tendencë për dëmtim të integritetit e cenim të imazhit, por të cilat i kam lanë prapa. Nuk i lashë me m’ndiku se synimin e kisha të qartë: t’ia ktheja prapë imazhin e mirë Gjykatës Themelore në Prishtinë,” shprehet Afërdita Bytyçi për “Grazetën”.

Marrë parasysh se Gjykata Themelore e Prishtinës është e kryeqytetit, numri i lëndëve është më i madh. Rrjedhimisht, ka më shumë punë dhe kërkon më shumë angazhim. Për t’ia dalë mbanë me këto, të shpeshta kanë qenë rastet kur Afërditës i është dashur të punojë jashtë orarit. Përderisa orari i saj niste në 8 të mëngjesit dhe përfundonte në 4 të pasdites, të shpeshta ishin rastet kur mbrëmja e zinte në zyrën e punës. Stërzgjatja e orarit të punës, ndikim në kohën e përkushtimit ndaj familjes. Nga gjithë ky angazhim, konsumohej hapësira që Afërdita ia dedikonte të afërmëve të saj, të cilët prapëseprapë e mbështesnin dhe e mirëkuptonin.

Mes palëve dhe mes letrave, në Themelore në Prishtinë Afërdita mbajti një mandat katërvjecar, për të ngjitur më pas edhe një shkallë tjetër të sistemit të drejtësisë. Prapë, edhe këtu, e vetmja grua mes gjashtë burrave.

Nga një janari 2021, ajo iu kthye punës si gjyqtare. Por, kësaj rradhe, si gjyqtare e shkallës së dytë në Departamentin Special. E pyetur nëse do të vlejë e njëjta sikurse në Themelore, ku nga gjyqtare u zgjodh kryetare, ajo iu përgjigj “Grazetës”: “Ka zëra të tillë. Mirëpo, jo. Nuk ka as konkurs të hapur dhe as kam ambicie për t’u bërë kryetare e Apelit”.

Në në rast gjyqësor, fjalën e fundit e ka trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtar-i/ja e rastit. Në shtatë gjykatat themelore në Kosovë, numri i gjyqtareve arrin shifrën prej 94. Në Prishtinë, nga 90 gjyqtarët në total, 42 janë gra. Në numër njëshifror janë gjyqtaret gra në gjykatat themelore në Pejë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Gjakovë. Ndërkaq, shkalla e dytë e sistemit gjyqësor, Gjykata e Apelit, në përbërje ka vetëm 14 gjyqtare gra, ndërsa në Gjykatën Supreme janë 10 gjyqtare.

Rrjedhimisht, mundësia që fjalën e fundit në gjykatat themelore t’ua thotë një gjyqtare grua është 40%, në Apel 28% dhe në Supreme 32%. Pavarësisht këtyre shifrave dhe ndërrimit të pushteteve në vend, gratë dhe vajzat kosovare nuk kanë ngurruar ta marrin drejtësinë në dorë.

Një vajzë nga fshati, me prindër të pashkolluar, drejtësinë do e zgjidhte si mision të jetës. Kada Bunjaku Përquku, fillet e saj në këtë sektor i ka si ligjëruese e lëndëve juridike në një shkollë të mesme në Vushtrri. Mirëpo, jo i lehtë do të ishte depërtimi i saj në sistemin e drejtësisë.

“Për shkak se nuk isha anëtare e Partisë Komuniste, sistemi i atëhershëm nuk më lejonte të pranohesha si gjyqtare, ku paralelisht kishte gjykatës që punonin edhe pa provimin e jurisprudencës. Në vitin 1990, organet e dhunshme na larguan nga puna në gjykatë, mua dhe kolegët e mi, dhe kështu gjatë viteve ‘90 kam qenë e papunë,” shpjegon Bunjaku Përquku për “Grazetën”.

Gjykatën Komunale në Vushtrri, aty ku viteve ‘80 shërbeu si praktikante, ajo do ta kryesonte nga viti 2010, duke kryer njëkohësisht edhe funksionin e gjyqtares. Sfiduese ishte trajtimi i numrit të madh të lëndëve nga pak gjyqtarë në dispozicion. Sikur të mos mjaftonin këto, ajo duhej të përballej në baza ditore me mentalitetin se “më shumë vlen ligji i të fortit sesa ligjet e aplikueshme”. Sipas saj, të gjitha sfidat gjatë rrugëtimit të saj profesional janë shpaguar atëherë kur drejtësia ka triumfuar.

Kada Bunjaku Përquku është kryetarja e parë grua e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, pozitë të cilën e mbajti për dy vite. Pas kësaj, nuk iu largua fushës së drejtësisë, por vetëm ndërroi formën e kontributit. Përderisa Kada është e bija e dy prindërve të pashkollë, ajo arriti që njërin nga fëmijët e saj ta ketë edhe kolegë, duke iu bërë edhe krah mbështetës në profesion.

“Kam dhënë dorëheqje nga funksioni i kryetares dhe gjyqtares me qëllim të kalimit në funksionin e avokates së bashku me djalin tim, i cili në atë kohë ishte i sapodiplomuar. Që nga ajo kohë, me të mbajmë një zyre të avokatisë me seli në Vushtrri,” thotë për “Grazetën” Bunjaku Përquku, ndërkohë që janë mbushur pesë vite që kur ajo veprimtarinë e saj e ka të orientuar në mbrojtje.

Pesë vite, po ashtu, i kanë mbushur edhe Dhomat e Specializuara, të cilat në vitin e kaluar kanë filluar të veprojnë më me “pompozitet”, duke ngritur dhe konfirmuar aktakuza. Dhomat e Specializuara kanë listën e mbrojtësve, të cilët mund t’i angazhojnë dëshmitarët, të dyshuarit apo të akuzuarit e mundshëm. Në mesin e kësaj liste është edhe Kada. Ajo është avokate e certifikuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë dhe ka thënë se është kontaktuar për ta përfaqësuar dikë, por që akoma nuk ka diçka konkrete.

Lista prej 174 avokatëve të certifikuar nga Dhomat e Specializuara përbëhet nga avokatë ndërkombëtarë dhe vendorë. Numri i përgjithshëm i këtyre të fundit është 41, prej të cilëve vetëm 5 janë avokate gra.

Sado sfilitës të jetë dhe sado vështirësi të ngërthejë në vete ky profesion, çekani i drejtësisë në Kosovë goditet edhe nga gratë në të gjithë hallkat e sistemit. Përkundër vështirësive në rrugëtim, përkundër paragjykimeve nga rrethi shoqëror, sidomos “sulmeve” kolegiale, gjyqtaret dhe avokatet tona nuk e kthyen kokën pas. Edhe pse gratë dhe burrat në këtë sektor diferencohen ndjeshëm në numra, kjo nuk përbën problem dhe nuk ndikon në uljen e synimeve për karrierë. Madje, me gojën plotë, ato u bëjnë thirrje vajzave dhe grave tjera që t’i bashkohen sistemit të drejtësisë.

About the author

Florijeta Dernjani

Florijeta Dernjani

Florijeta Dernjani ka përfunduar studimet e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Aktualisht punon si gazetare në sektorin e drejtësisë në televizionin Kanal10.

Add Comment

Click here to post a comment