Krejt-kah-pak

Ndriçohet ndërtesa e Qeverisë për Ditën Ndërkombëtare të Parandalimit të Vetëvrasjes

Sot, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Parandalim të Vetëvrasjes, në kuadër të fushatës #FjalëPërFjalë, Zyra për Qeverisje të Mirë—Zyra e Kryeministrit dhe Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS), e cila është njëherazi edhe organizata implementuese e projektit “Linja e Jetës”, qendrës telefonike për parandalim të vetëvrasjes, kanë shënuar këtë ditë me dy aktivitete të përbashkëta kyçe.

Me fillim nga ora 10:00 u mbajt një tryezë e diskutimit e cila ishte e hapur për pjesëmarrje për përfaqësues institucional dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me ç’rast u diskutuan tri pika rreth dukurisë së vetëvrasjes: 1. Situata dhe Konteksti Historik në Kosovë, 2. Nevojat e Qytetarëve për Shërbime të Shëndetit Mendor dhe 3. Raportimi Etik si Mjet për Parandalimin e Vetëvrasjes, duke u elaboruar më tutje rreth përgjegjësive dhe prioriteteve institucionale për parandalimin e kësaj dukurie.

Kurse, ndriçimi i Ndërtesës së Qeverisë me ngjyrë të verdhë e cila është edhe ngjyra përfaqësuese e veprimtarisë për ndërgjegjshmëri rreth dukurisë së vetëvrasjes dhe parandalimit të saj, shënoi aktivitetin përmbyllës të kësaj dite.

Ndërtesa do të vazhdojë të jetë e ndriçuar deri në orën 22:00.

Vetëvrasja është një dukuri globale e cila prekë një shtresë të madhe të popullatës. Në vitin 2017, vetëvrasja është vlerësuar si shkaktari i shtatë i vdekjes për grupmoshën 15 deri në 19 vjeç.

Ndonëse është një dukuri që lë pasoja në çdo sferë sociale, vetëvrasja nuk shfaqet në mënyrë të barabartë në të gjitha shoqëritë. Grupet minoritare, gratë dhe vajzat që kanë përjetuar dhunë seksuale, pacientët e kancerit dhe grupe të tjera të cenueshme, janë në një rrezik më të lartë.

Andaj, është shumë me rëndësi që shëndeti mendor të jetë përkrah prioriteteve të shoqërisë civile dhe institucioneve.


Nëse ju jeni duke kaluar në periudha të vështira emocionale apo keni mendime për vetëvrasje, telefononi në Linjën e Jetës, pa pagesë, në numrin 0800 12345, çdo ditë nga ora 14:00 deri në orën 02:00 pas mesnatës.