Krejt-kah-pak

Qeveria nis ndarjen e 170 eurove në muaj për gratë lehona nga nesër

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë për medie, kanë folur në lidhje pagesat për lehonat dhe shtesat për fëmijët, nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.

Gratë lehona do të marrin nga Qeveria 170 euro.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se mbështetja për gratë lehona është e ndarë në dy kategori, ato që janë të papuna që do marrin 170 euro për 6 muaj dhe të punësuarat që do marrin 170 euro për 3 muaj.

“Lehonat e papuna në 12 muajt e fundit të cilat figurojnë si të papuna në ATK do të përfitojnë mbështetje financiare 170 euro për gjashtë muaj. Ndërsa lehonat e punësuara do të përfitojnë 170 euro për tre muaj krahas kompensimit të pushimit të lehonës nga Qeveria”, ka thënë Murati.

Ndërkaq, ai shtoi se shtesat për fëmijë, fillimisht do të përfshijnë fëmijët e lindur nga 1 janar 2020 e tutje  ndërsa nga viti i ardhshëm do të filloj zgjerimi i grup moshave.

“Mbështetja për fëmijët e moshës 0-24 muaj do të jetë 20 euro për muaj kurse ata nën moshën 16 vjeçare do të jetë 10 euro për muaj”, tha Murati.

Ndërkaq aplikimi për këto mbështetje do të jetë i mundur që nga nesër përmes aplikimit në platformën e-Kosova .