“Ekziston një vend i veçantë në ferr për gratë të cilat nuk ndihmojnë njëra-tjetrën.” Është kjo një frazë të cilën tashmë e ndjera Madeleine Albright e përdori për herë të parë në Kombet e Bashkuara, gjatë kohës kur ishte ambasadore e Shteteve të Bashkuara dhe u bë virale në një kampanjë mbështetëse të Hillary Clinton-it në vitin 2016 për zgjedhjet presidenciale në ShBA. Kjo thënie në thelb ka të bëjë me fenomenin “Queen Bee” apo të “Bletës Mbretëreshë” që është ideja që gratë në role drejtuese shpesh do i trajtojnë vartëset e tyre gra në mënyrë më kritike ose do i refuzojnë plotësisht – ide kjo që është e shpërndarë gjerësisht në media e pop-kulturë. Andaj, kjo thënie ka jehonë të madhe, sidomos tek raportet ndërmjet grave profesioniste të cilat prioritet kanë karrierat e tyre.
Të shumtë janë ata që mendojnë se “Queen Bees” janë përgjegjëse për faktin se gratë e kanë të vështirë të avancojnë karrierat e tyre. Në fund të ditës, më lehtë është që të fajësohen gratë e tjera për problemet avancimit në karrierë të grave sesa të shtjellohen faktorët real të mosbarazisë.
Çka është ky fenomen?
Fenomeni apo sindromi “Queen Bee” është një etiketë e aplikuar për gratë në menaxhmentin e lartë, sjellja e të cilave “nuk përputhet me pritshmëritë e sjelljes solidare dhe mbrojtjes së grave të tjera”. Etiketa “Queen Bee” u jepet grave në pozicione drejtuese të cilat tashmë janë bërë të suksesshme në mjediset e punës të dominuara nga burrat, duke u përpjekur të përshtaten me kulturën, karakteristikat, tiparet mashkullore, si dhe duke u distancuar fizikisht dhe psikologjikisht nga gratë e tjera. Kështu, pritshmëria që gratë do të përshtaten me gratë e tjera mund të mos realizohet dhe në këto raste etiketa “aleate” zëvendësohet me etiketën “Queen Bee”. Për shembull, Margaret Thatcher, kryeministrja e parë grua e Mbretërisë së Bashkuar, mori nga shtypi botëror etiketën “Queen Bee” për mospromovimin e karrierës së grave të tjera në kabinetin e saj. Ky fenomen ka qenë mjaft i diskutuar që kur termi u krijua për herë të parë në Universitetin e Miçiganit në vitin 1973. Gjersa disa studime e kanë mbështetur këtë teori, studime të tjera e kanë konsideruar atë si seksizëm të plotë. Një nga studimet e fundit që shqyrtoi sjelljen e lidershipit të grave në organizata anembanë Brazilit, sugjeron se fenomeni “Queen Bee” mund të jetë, në fund të fundit, një mit.
Si përshkruhet ky fenomen?
Fenomeni “Queen Bee” u atribuohet pjesërisht stereotipeve të gjera gjinore shoqërore, ku gratë perceptohen se u mungojnë cilësitë tradicionale të lidershipit dhe të maskulinitetit. Kjo sjell presion për gratë profesioniste që t’i përvetësojnë këto cilësi, veçanërisht në mjediset e punës ku burrat janë shumicë. Kështu, gratë me arritje të larta “zhvillojnë” sindromin e “Queen Bee” për shkak të mungesës së mundësive për gratë në sektorin profesional. Me pak pozita kryesuese të disponueshme për gratë, “Queen Bees” paraqiten se mendojnë që duhet ta mbrojnë vendin e tyre të punës duke shfaqur tipare “mashkullore” si një formë e distancimit të vetë-grupit. Gjithashtu, ky fenomen më tutje teoriziohet se në shumicën e rasteve pritet që gratë të jenë kujdestaret kryesore të familjeve të tyre dhe t’i japin përparësi familjes para punës profesionale. Kështu, për shkak se gratë duhet të sakrifikojnë më shumë se burrat për të arritur të njëjtin pozicion, ato shpesh konkurrojnë me gratë e tjera për t’i kompensuar këto sakrifica. Megjithatë, duke parë një gamë të gjerë studimesh, nuk ka asnjë provë që gratë nëpër këto pozita janë më pak ndihmuese (ose më të dëmshme) për gratë në pozita vartëse sesa burrat në këto pozita ndaj burrave në pozita vartëse. Studimet gjejnë pak prova se gratë janë më konkurruese ndaj grave të tjera sesa burrat ndaj burrave të tjerë dhe gratë dhe burrat nuk ndryshojnë në përdorimin e tyre të agresionit. Në të vërtetë, të kesh një menaxhere grua është, me pak përjashtime, ose pozitive ose neutrale në normat e ngritjes profesionale dhe pagave të grave.
Gratë pritet të jenë më ndihmuese dhe më të ngrohta
E pse ky shpjegim për gratë nëpër pozita udhëheqëse? Përgjigja ka të bëjë me pritshmëritë tona nga udhëheqësit tonë. Për shkak se gratë pritet të jenë ndihmuese dhe të ngrohta, njerëzit i perceptojnë gratë që marrin role udhëheqëse më negativisht. Pra, edhe nëse gratë udhëheqëse nuk sillen ndryshe nga burrat, ato do të shihen si jombështetëse për shkak të standardeve të dyfishta me të cilat përballen gratë.
Menaxherët burra të cilët janë më kërkues shihen si udhëheqës të fortë, ndërsa gratë shihen si keqdashëse. Dhe kur lindin konflikte në punë, siç ndodh shpesh, përplasjet mes dy grave shihen si shumë më problematike nga të tjerët në vende të punës sesa që do të shiheshin përplasjet në mes të dy burrave.
Çfarë do të thotë kjo për ambientet e punës?
Mbështetja e grave si nga burrat, si nga gratë e tjera çon në shumë rezultate pozitive, të tilla si: rritja e bashkëpunimit dhe mbështetjes ndërmjet punonjësve, rritja e produktivitetit në vendin e punës, përqindje e rritur e grave udhëheqëse, rritja e aksesit në burimet që lidhen me diskriminimin dhe dhunën dhe politika të përmirësuara të barazisë gjinore në vendin e punës, duke përfshirë pagën e barabartë. Natyrisht që avokimi për të përmirësuar politikat dhe për të vënë në funksion institucionet në zbatimin e tyre është një nga gjërat kryesore se si mund të kontribuojmë në uljen e diskriminimit dhe arritjen e barazisë gjinore në fuqinë punëtore.
Është me rëndësi të potencohet gjithashtu që të gjithë ne mund të kemi paragjykime implicite gjinore – kur mendja e pandërgjegjshme ndikon në qëndrimet dhe veprimet e një personi. Andaj, ne duhet të avokojmë kah ndërgjegjësimi se si këto paragjykime të paqëllimshme apo implicite gjinore i dëmtojnë gratë.
Për fund, secila nga ne mund të bëjmë një përpjekje për t’i lavdëruar gratë dhe vajzat në jetën tonë dhe për t’i kontribuar solidarizimit me gratë e tjera. Komentoni gjërat që ato bëjnë mirë dhe përmendni se si kanë potencial për të qenë të suksesshme dhe për të arritur qëllimet e tyre, sidomos ato vajza dhe gra të cilat u takojnë grupeve apo komuniteteve të ndryshme të cilat rrezikohen çdo ditë e më shumë nga shoqëria jonë. Gjithashtu, një ndihmë e vogël e juaja, si ajo e të qenit një burim informacioni nëse ato kanë pyetje në lidhje me suksesin tuaj, mund të jetë një pikënisje suksesi edhe për jetën e shumë vajzave/grave të tjera. Mos harroni, vetëm atëherë kur ngritim dhe ndihmojmë njëra-tjetrën, ne mund të luftojmë shtypjen dhe margjinalizmin e vazhdueshëm në këtë vend ku ende frymon patriarkalizmi dhe në mënyrë konsistente cenohen të drejtat tona bazike.
Add Comment