A keni dëgjuar për ndonjë vajzë të re, që sapo ka hyrë në adoleshencë edhe është bërë pre e bullizmit për shkak të ndonjë fotoje që dikush e ka shkrepur edhe e ka shpërndarë pa lejen e saj? Apo për diçka që ajo i ka shkruar dikujt e ai dikush e ka ndarë me të tjerë? Apo thjesht se disa njerëz kanë supozuar për aktivitetin e saj seksual edhe i kanë shpërndarë këto supozime në shoqëri?!
Veç pyetje retorike! Krejt kemi dëgjuar!
Edhe çka pas kësaj?! Kurrgjë! Ajo vajza në rastin më të mirë është mbyllë disa ditë në shtëpi, ka pas presion prej shoqërisë, prej familjes, e kur është kthyer në shkollë as e kemi njohur – aq keq e ka përjetuar. Krejt e kemi vërejtur që është keq… Dikush e ka fajësuar dhe ka thënë që pak i ka ndodhë nga çka e meriton, e dikujt i ka ardhur keq. Por, prapë kurrkush nuk ka bo kurrgjë!
Kjo dukuri njihet me emrin slut-shaming dhe ndodhë kur vajzat e reja bullizohen për aktivitetin e tyre seksual real ose të supozuar. Ky supozim zakonisht vjen si pasojë e dukjes, veshjes ose sjelljeve të cilat një kulturë e caktuar i sheh si të pamoralshme. Sipas një studimi të kryer nga Shoqata Amerikane e Grave Universitare, slut-shaming është një nga format më të zakonshme të ngacmimit seksual me të cilin përballen nxënësit e shkollës së mesme dhe të mesme të ulët.
Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në përhapjen e kësaj forme të bullizmit janë rrjetet sociale. Jo vetëm për faktin që e kanë normalizuar ndarjen e jetës private me të tjerë, por edhe për normalizimin e bisedave madje edhe takimeve me njerëz të panjohur që adoleshentët mund t’i kenë parë vetëm në rrjete sociale ose faqe takimesh.
Sipas statistikave të vitit 2015 të Washington Post, 6 nga 10 adoleshentë krijojnë shoqëri online, ndërsa 30% e adoleshentëve kanë dalë në takim me dikë që e kanë njohur online. Edhe pse prej tyre djemtë përbëjnë një numër më të madh se vajzat, ne gjithmonë e alarmojmë shoqërinë për vajzat sepse me standardet e dyfishta që kemi krijuar, edhe pse të dyja palët mund të marrin pjesë në të njëjtin aktivitet, njëra palë turpërohet e tjetra jo. Këto standarde të dyfishta fillojnë në familjet tona e më pas vazhdojnë në shkolla, ku shpesh ndodhë të kritikohen vetëm vajzat për dukjen ose veshjen, kur në fakt, kod të veshjes duhet të ketë edhe për vajzat edhe për djemtë. Arsyeja përse vajzat nuk duhet të vishen shkurt në shkollë nuk është sepse kështu provokohen djemtë, por sepse një institucion duhet të ketë kod të veshjes i cili duhet respektuar nga të dyja palët, vajzat dhe djemtë.
Megjithatë një vajzë nuk bie pre e kësaj forme bullizmi vetëm nëse grupeve të caktuara u bie në sy për dukjen ose veshjen. Shpesh mund të bullizohen edhe vajzat që nuk vishen shkurt ose nuk bien në sy për dukjen e tyre. Mund të ndodhë që fotot ose videot që përdoren të merren edhe duke e përcjellë në vendet e saj private ose publikohen nga dikush me të cilin vajza ka pasur një lidhje të caktuar. Vlen të ceket se djemtë nuk janë të vetmit që e bëjnë këtë formë bullizmi. Armstrong dhe të tjerë (2014) argumentojnë se vajzat gjithashtu përdorin këtë formë bullizmi për të përcaktuar grupet e statusit social. Meqë në adoleshencë rëndësia e shoqërisë dhe pozitës së individit në shoqëri rritet, adoleshentët e përdorin slut-shaming si një armë me të cilën “rregullojnë rendin” dhe luftojnë për pozitën e tyre në shoqëri. Një logjikë e thjeshtë do të na thoshte se fajtori në këtë mes është ai që e ka armën dhe qëllon, jo ai i cili qëllohet, megjithatë në këtë rast fajtori kryesor jemi ne si shoqëri që me standardet tona të dyfishta ua dhamë këtë armë në dorë.
Nëse përsëri e përdorim logjikën e fajësimit të viktimës dhe themi “e po vajza mund të ishte ruajtur, mund të kishte veshur një veshje më të përshtatshme ose mund të mos i dërgonte foto, video dhe mund të mos fliste me gjithkënd, kështu kjo situatë mund të ishte shmangur”. Po, ka raste kur kjo gjë mund të ishte shmangur, megjithatë, vajzat që bien pre e kësaj forme bullizmi janë zakonisht në adoleshencën e hershme ose të mesme, kur të menduarit si proces zhvillohet për të kaluar në stadin e të menduarit të të rriturit. Andaj në këtë periudhë adoleshentët nuk mund të mendojnë plotësisht si të rritur. Jo se nuk duan, por thjesht sepse nuk e kanë pjekurinë e mjaftueshme, të cilën sigurisht që do e fitojnë me kalimin e kohës.
Nëse i bashkojmë standardet e dyfishta dhe ndjeshmërinë e kësaj periudhe zhvillimore, mund ta sqarojmë më lehtë pse vajzat e përjetojnë shumë keq këtë formë të bullizmit. Ato e dinë që do të gjykohen, edhe nëse në të vërtetë nuk kanë bërë asgjë. Dhe në fazën kur ato po përpiqen të gjejnë pozitën e tyre në familje si të rritur, po presin që të gjithë të shohin se sa të përgjegjshme janë, që mund të bëjnë shumë gjëra vetë, të pavarura, dhe kanë nevojë të jenë të pëlqyeshme në shoqëri, kjo është një goditje e fortë që ka pasoja. Hackman dhe të tjerë (2017) tregojnë se si kjo gjë rezulton në një ndjenjë të reduktuar sigurie, pengesa për arritjet akademike, zvogëlim të gjasave për diplomim (ACHA, 2008) dhe një sërë çështjesh të shëndetit mendor, duke përfshirë problemet me imazhin e trupit, ankthin, depresionin (Acierno et al. 2002) mendimet për vetëvrasje.
Një numër i vajzave të cilat u bullizuan seksualisht më vonë kryen vetëvrasje. Secila nga këto vajza u bullizuan për gjëra që as i bënin, por ishte një shoqëri e tërë që për to kishte krijuar një imazh të pavërtetë, duke i lënë të ndjenin se vetëvrasja ishte alternativa e tyre e vetme për të shpëtuar nga mundimi i vazhdueshëm. Andaj këto raste nuk mund thjesht të kalojnë pa bërë asgjë. Fillimisht ata që e kryejnë këtë formë bullizmi duhet të marrin dënimin që meritojnë dhe shumë shtete për këtë dënojnë jo vetëm atë që e ka shpërndarë informacionin (foton, videon, tekstin) bullizues, por edhe ata që e kanë ruajtur atë informacion në telefonat e tyre.
Me qëllim parandalimi, ju si prindër duhet t’u mësoni fëmijëve tuaj rëndësinë e krijimit të kufijve të besimit në raport me të tjerët, rrezikshmërinë që ka krijimi i marrëdhënieve me njerëz online, si edhe dërgimi i fotove apo videove private.
Jepni fëmijëve tuaj dashuri pa kushte dhe bëjini të ndjehen se mund të mbështeten te ju, në mënyrë që, në rast se bien pre e këtij lloj bullizmi, të mund të flasin me ju dhe të mos ndjehen vetëm kundër botës.
Në rast se fëmija juaj ju tregon që i ka ndodhur diçka e tillë, insistoni që të merrni ndihmë nga psikologu, edhe nëse fëmija fillimisht e refuzon këtë gjë. Një këshillim me psikologun do ju bënte mirë edhe juve gjithashtu.
Dhe, për përfundim, mos e gjykoni fëmijën tuaj në asnjë mënyrë as kur e gjithë bota e gjykon atë dhe, mos harroni, sado keq që e përjetoni ju si prindër, fëmijët tuaj e përjetojnë edhe më keq. Është diçka që ju ka ndodhur atyre, andaj mos u sillni sikur ju jeni viktima!
Add Comment