Vox

Mbi risqet e kancerit të gjirit

Diagnozimi me kancer fatkeqësisht konsiderohet si dënim me vdekje. Edhe pse komuniteti shkencor botëror vazhdimisht publikon lajme për zbulimet më të reja të mënyrave gati të sigurta për luftimin e shumë llojeve të kancerit, e ndër to edhe për atë të gjirit, ato nuk arrijnë të implementohen.

Për personin që ballafaqohet me kancerin kjo situatë është frustruese dhe deprimuese.

Sa herë që ka ditë botërore, shkruhet për problematikën dhe faktorët e riskut… ndërsa ne që e kemi kaluar këtë luftë, vetëm e kalojmë shpejtë me koment të brendshëm… “broçkulla”.

Kur lexon listën e cila qarkullon në faqet me reputacion të instituteve botërore, të tmerron qasja sipërfaqësore, e madje të ofendon kur në listë është pesha trupore. Ofendimi është edhe më i madh kur ndalesh e mendon sa njerëz me mbipeshë kanë vdekur nga kanceri. Unë nuk njoh asnjë person personalisht që kancerin ia ka shkaktuar pesha trupore. Kjo qasje nga këto institucione është e turpshme dhe dëmtuese, dhe posaçërisht për personat që ballafaqohen me kancerin, është absolutisht qesharake dhe nuk ndihmon të tjerët në parandalim. Nëse mbipesha është shkaktuar nga konsumimi i tepruar i sheqerit konvencional, atëherë po, ky është risk i lartë sidomos për kanceret estrogjen-pozitive. Por, shkurtesat janë të turpshme të përdoren nga personeli mjekësor nëse i konsideron femrat të pa afta të kuptojnë, e prandaj edhe bëjnë lista të tilla.

Kanceret mund të parandalohen, të mbahen nën kontroll por vetëm duke u njohur me të vërtetë me faktorët e rrezikut.

Fillojmë nga dy kryesoret: Faktori gjenetik dhe faktorët jo gjenetik

Faktori gjenetik është, në dukje faktor të cilin nuk mund ta kontrollojmë por, predispozita gjenetike për kancer nuk do të thotë se me patjetër do ta fitosh kancerin. Gjenet janë aty, por ato mund të zgjohen apo të mbahen në “gjumë”, pra mund të mos aktivizohen kurrë. Edukimi i këtyre personave është shumë i rëndësishëm por, fatkeqësisht kjo nuk bëhet nga asnjë institucion edhe pse fokusi më i madhi është tek ky lloj i kancereve, e megjithatë nuk mendohet për parandalim por vetëm për shërim e që shumë shpesh janë fatale pasi që kanceret me predispozita gjenetike dinë të jenë shumë agresivë.

Faktorët jo-gjenetikë tek kanceri i gjirit janë më kompleks dhe për t’i kuptuar, kërkon shumë vet-edukim dhe informim. Lista e këtyre faktorëve është e gjatë. Faktorët e rrezikut në këtë kategori janë të “poshtër” pasi që askush nuk i dyshon si faktorë rreziku.

Faktorët jo-gjenetik mund ti ndajmë në dy pjesë kryesore: Viruset dhe shprehitë

Viruset – për disa dekada tanimë komuniteti shkencor ka vërtetuar që gati të gjithë kanceret jo-gjenetikë shkaktohen nga shumë lloje virusesh dhe çdo herë në biopsitë e kancereve të gjirit janë gjetur koktej i viruseve të pranishëm. Prandaj, kohëve të fundit jemi duke mësuar se virozat, pasi që ne i kalojmë, megjithatë hyjnë në sistemin tonë imunitar duke shkaktuar probleme afatgjata e sidomos të shkaktojnë kancere. Përgjigjja e vetme ndaj kësaj është që stili ynë i jetës të jetë i orientuar kah ruajtja e imunitetit. Fatkeqësisht këtë shpesh e kuptojmë shumë vonë. Pasi që një vaksinë është e zhvilluar dhe aplikohet për virusin HPV që shkakton kancerin e mitrës, ekziston mundësia që së shpejti të zhvillohet edhe vaksina kundër viruseve që shkaktojnë kanceret e gjirit, por megjithatë, në pritje të kësaj ne duhet të kujdesemi për veten dhe imunitetin tonë.

Shprehi është çdo gjë që ne e konsumojmë dhe përdorim për çdo ditë

  • Prodhimet ushqimore që përmbajnë pesticide, herbicide, fungicide dhe hormone
  • Prodhimet ushqimore të tej procesuara që përmbajnë sheqer dhe yndyra industriale
  • Prodhimet analoge si “Hopla”, djathërat që nuk janë nga qumështi, patatina që nuk janë fare nga patatet, etj
  • Fërgesa dhe patatina që përdorin të njëjtin vaj disa herë
  • Prodhime kinse të shëndetshme që kanë ngjyrosës toksik, salmoni i tymosur p.sh.
  • Prodhimet kozmetike, që i përdorim çdo ditë për pastrim dhe mirëmbajtje të flokëve e lëkurës, që përmbajnë parabene dhe propilparabene
  • Detergjentet, të gjitha llojet, së bashku me zbutësit për rroba
  • Uji që pijmë nga shishet plastike
  • Paketimet e plastikës që përdorim
  • Enët që përmbajnë teflon

Kancerët hormonalë të gjirit ndikohen shumë nga kjo listë pasi që këto produkte e çrregullojnë sistemin endokrin/hormonal dhe kjo listë nuk është përfundimtare. Produktet komerciale kozmetike përmbajnë përbërës që çrregullojnë hormonet që mund të nxisin kanceret në organizëm, edhe ti përkeqësojnë ato ekzistueset, prandaj tentoni të bleni produkte pa parabene dhe propilparabene si fillim.

E njëjta ndodhë kur hamë fruta dhe perime që na “shiten” si superushqime – me to marrim sasi të madhe të kseno-estrogjeneve që vijnë nga pesticidet, herbicidet dhe fungicidet e përdorura në nivele alarmante. Tragjedia më e madhe është kur ne u besojmë prodhuesve të huaj më shumë, e nuk jemi fare të vetëdijshëm që vendet e zhvilluara subvencionojnë prodhuesit e tyre, të cilët pastaj, për t’i rritur eksportet, përdorin mbrojtës shumë më shumë se prodhuesit tanë që s’kanë mundësi vetëm për shkaqe ekonomike. Niveli i pesticideve në EU është në rritje të vazhdueshme.  Fatkeqësisht me një artikull, ky problem nuk kuptohet sa duhet prandaj gjithmonë duhet të informohemi sa më shumë për industrinë ushqimore.

Në ShBA, organizatat mjedisore publikojnë një listë që e quajnë “dirty dozen”  (duzina e ndyrë) dhe çdo vit paralajmërojnë konsumatorët cilat perime e fruta kanë nivele të larta të pesticideve, herbicideve e fungicideve dhe kjo është një listë e mirë si fillim i edukimit. Në këtë listë zakonisht përfundojnë frutat dhe perimet e zakonshme si molla, dardha, pjeshka, qershia, dredhëza, apo perimet si patatja, spinaqi, selino, domatja, speci. Çdo prodhim masiv fatkeqësisht ka risqe, prandaj mbrojtja jonë nga kanceri i gjirit fillon me edukimin tonë dhe informimin në lidhje me ato çka blejmë.

Ikja nga produktet e tej-procesuara është hap që na ndihmon të mos marrim sheqerëra të fshehura. Ne mendojmë që sheqeri gjendet vetëm në ëmbëlsira, alarmi është se sheqeri i shtohet secilit prodhim të përpunuar si salcat e domates dhe secila salcë tjetër e gatshme. Ketchup-i që përdoret në çdo “fast-food” është deri në 25% të përbërjes sheqer.

Për të tjerat në listë mund të hulumtoni në internet.

Por, këshilla ime, nga përvoja ime personale e ballafaqimit me kancer dy herë, është që përpos që merrni terapinë e mjekësisë konvencionale, pasi nuk kemi zgjidhje tjetër për ta ndërprerë avancimin e kancerit, duhet të bëjmë çmos që ta trajtojmë veten me produkte që nuk na e rrisin rrezikun dhe ta duam veten çdo ditë.

About the author

Avatar

Florina Skeja

Ekonomiste me profesion, me ekspertizë në financa, burime njerëzore, menaxhim të kualitetit, menaxhim të projekteve, menaxhim të ndryshimit dhe psikologji biznesi. Tani pronare restoranti.

Pasion kuzhinën dhe ushqyeshmërinë (nutricionin) me theks të veçantë në ushqimin që parandalon dhe shëron. Pas ballafaqimit me kancerin e gjirit, dy herë, i jep rëndësi të veçantë edukimit parandalues dhe shërues duke përcjellë dhe duke edukuar veten çdo ditë.

Add Comment

Click here to post a comment