Ndodh shpesh që sa të hap ndonjë nga rrjetet sociale, shoh fotografi e video të publikuara nga rrethi shoqëror, çifte tek pëlcasin balona me ngjyrë të zezë nga jashtë dhe presin se çfarë ngjyre po del nga brenda. Apo prejnë tortë të bardhë nga jashtë për të zbuluar ngjyren që i kanë vendosur brenda. Ngjyrë rozë apo e kaltër? Hmm… mes këtyre dy ngjyrave është çështja.
E kuptuam besoj se për çfarë po flasim. Është zbulimi i gjinisë së foshnjës, i cili ka kohë që kuptohet përmes ngjyrës, ku sipas “rregullave” të pashkruara ngjyra rozë nënkupton që foshnja është vajzë, dhe ngjyra e kaltër nënkupton që foshnja është djalë.
Shumë do të më interesonte të shihja si do të reagonin njerëzit nëse nga ajo tortë, balon a çka do qoftë, do të shihni të dilte një ngjyrë tjerë nga ato dyja, për shembull një e verdhë, e gjelbër, e bardhë?
E meqë e kemi këtë temë, po e tregoj një ngjarje që i kishte ndodhur një mikeshës time njëherë. Befasinë e shtatzënisë, për të kuptuar gjininë e foshnjës ajo ia kishte lënë gjinekologut të saj, i cili do të porosiste një tortë e ta dërgonte tek familja e saj, pra me njërën nga ngjyrat (rozë/kaltër) për brenda. Seç kishte ndodhur një keqkuptim me pastiçerinë dhe kishin harruar t’i vendosin njërën nga ngjyrat brenda tortës, dhe e kishin bërë atë të zakonshme. Kur kjo tortë arriti tek familja që po e prisnin me padurim dhe e prenë atë ndodhi një “boooom”. Çfarë? Nuk kishte foshnje fare? Ku ishte mesazhi? Si do ta kuptonin?
Eh sidoqoftë, familja e kuptoi që po prisnin një vajzë të vinte në jetë, por pasi e kontaktuan përsëri ordinancën e gjinokologjisë.
Mos të keqkuptohemi, gabimet janë gjëra që ndodhin, dhe pastiçerisë i falet në këtë rast. Por ajo çfarë mendoj që nuk duhet lejohet është krijimi i steriotipeve të tilla, të cilat kanë arritë aq larg, sa që ende pa u lindur i identifikojnë njerëzit se cilës gjini i takojnë, si duhet të jetojnë, e madje çfarë ngjyre e çka duhet të veshin.
Lidhur me këtë steriotip e këto ceremoni për zbulimin e gjinisë së foshnjës, feministja dhe aktivistja për të drejtat e njeriut, Neri Ferizi, thotë se kjo imponon rolin gjinor dhe si ceremoni janë qesharake.
“Përcaktimi i ngjyrave për foshnjën imponon rolin gjinor me të cilin ajo supozohet që të rritet dhe përshtatet. Shtypja gjinore gjenezen e ka në familje, nga aty fillon ndarja, kjo është fillesa, ende pa lindur prindërit ta përcaktojnë rolin në shoqëri” thotë Ferizi.
“Ka shumë prindër që kohës së fundit më shumë se kurrë më parë, po e aplikojnë këtë steriotip duke ia bashkëngjitur edhe një ceremoni mbrapa. E kjo përveç që është qesharake e tregon edhe një nevojë të kësaj popullësie për vëmendje dhe festë për çdo gjë”, shprehet znj. Neri Ferizi.
Aktivistja Ferizi thekson faktin se këto ngjyra gjinore janë të vjetrurar në botë dhe në vendin tonë duhet të luftohen steriotipet që vëndosin theksin tek gjinia.
“Si përmbledhje, ngjyrat gjinore janë krejtësisht të vjetruara nëpër botë, por tek ne është bërë trend këto vitet e fundit. Dhe ne duhet të tentojmë ta thyejmë këtë konstrukt që e vë theksin tek gjinia, e të krijojmë një botë shumë ngjyrëshe për të gjithë duke mos ia imponuar edhe embironit ngjyrën, por të tentojmë të kijojmë një hapësirë ku ata do të ndihen të lirë. Një botë me më pak stereotipe, me më pak seksizëm dhe në përgjithësi më pak paragjykime”, përfundon ajo.
E sociologia Flakë Ymeri, thotë se përcaktimi gjinor sipas ngjyrave ndodhë në gjithë botën, por që identifikimi i fëmijëve përmes ngjyrave mund të ndikojë jo mirë në aspektin emocional dhe mund të përdoret edhe si mjet i bullizimit.
“Si duket trendi i përcaktimit gjinor sipas ngjyrave është në gjithë botën, jo vetëm në Ballkan e më saktë në Kosovë. Tashmë viteve të fundit shohim shumë organizime të ndryshme me kolor që qysh pa ardhë në jetë fëmija indentifikojnë gjininë”, shprehet znj.Ymeri, teksa shton se te familjet me mendësi patriarkale është shumë e theksuar kjo gjë, që ende qëndron me mendësinë se vajzat të dallohen si vajza dhe djemtë si djem.
Por, sipas znj. Ymeri kjo mund t’iu ndikojë në aspektin emocional jo mirë, sepse nuk do të ndihet kundër vullnetit të tij një djalë që mund të duket bukur edhe në një rrobë me ngjyrë të kuqe apo edhe ndonjë ngjyrë tjeter.
“Duhet të edukohemi në mendësinë e një shoqërie të shëndoshë me një nivel të lartë të kulturës së qytetruar, duke mos humbur identitetin tonë kombëtar e shoqëror dhe krijimin e një personaliteti të dobishëm për shoqërinë, me shumë tipare që do t’i shërbejnë në aspektin pozitiv normave shoqërore e te mos jetë mjet i bullizimit ngjyra e rrobave të cilën e veshin fëmijët, qe pastaj ata të ndihen të diskriminuar me rrethin ku ata jetojnë e veprojnë” shprehet znj.Ymeri.
Pra, se roza është për vajza dhe e kaltëra për djemtë, është diçka që thuajse të gjithë e kemi dëgjuar duke u rritur. Por pse? Kush mund ta vendos këtë? Pse ndodh që kaq shumë prej nesh i përmbahen këtij rregulli kaq rreptësisht? Këtu ka shumë pyetje, pa përgjigje.
Por nga publikimet që kam lexuar mbi historinë[1] e këtyre dy ngjyrave del se gjithçka filloi në shekullin e 19-të, kur ngjyrat pastel filluan të popullarizoheshin për foshnjat. Dy ngjyrat u zgjodhën fillimisht për shkak të mënyrës se si ato përputheshin me ngjyrat e flokëve dhe syve. E kaltëra ishte menduar të shkonte me sy të kaltër ose me flokë bjonde, dhe rozë për sytë kafe ose flokë kafe. E kaltëra ishte në fakt ngjyra [2]që iu caktua vajzave, sepse shihej si një ngjyrë e hollë, dhe roza shihej si një ngjyrë më e fortë, kështu që u caktua djemve.
Por çka ndryshoi dhe si u bë ngjyra rozë për vajzat dhe e kaltra për djemtë?
Sipas leximeve, vajzave u ricaktua ngjyra rozë sepse ishte më afër të kuqes, një ngjyrë romantike dhe gratë shiheshin si më emocionale. Por nga vitet 1960 gjatë lëvizjes për të drejtat e grave (Women’s liberation movement), gratë sfiduan këtë normë sociale dhe hodhën poshtë ngjyrat gjinore. Megjithatë, kjo nuk zgjati shumë pasi doli testimi i gjinisë së foshnjë para lindjes, gjë që bëri që prindërit të planifikonin paraprakisht për foshnjat e tyre dhe shitësit me pakicë të kuptonin se mund të përfitonin nga shitja e përmbajtjeve specifike të përshtatura për dy gjinitë.[3]
Përfundimisht, trendet me ceremonitë festive për zbulimin e
gjinisë së foshnjës, e përforcuan “rregullin” rozë është për vajzat, e
kaltër është për djemtë. Natyrisht, kjo është e pavlefshme dhe nuk do të kishte
qenë e nevojshme të aplikohej ndonjëherë. Megjithatë, e di se shumë prindër
refuzojnë t’i përmbahen këtij “kodi” qesharak, dhe nëse duam një jetë të liruar
nga steriotipet gjinore, le të marrim secili përgjegjësinë e vetë ne evitimin e
ceremonive “family-comedy”./Grazeta
[1] https://jezebel.com/the-history-of-pink-for-girls-blue-for-boys-5790638
[2] https://munsell.com/color-blog/why-that-color-gender/
[3] https://www.thelist.com/32342/real-reasons-behind-blue-boys-pink-girls/
Add Comment