Shtjellime

“S’jom si çikat tjera” – Mizogjinia e përbrendësuar

Në dokumentarin e saj “Miss Americana”, Taylor Swift flet për të gjitha padrejtësitë që iu kanë bërë asaj si grua në industrinë e muzikës. Edhe pse Taylor është autore e shkëlqyeshme e këngëve, shumë njerëz kur e mendojnë atë, janë nën ndikimin e reputacionit të krijuar në opinionin publik rreth marrëdhënieve të saj me burra. Madje në shumë filma, seriale por edhe në jetën e përditshme dëgjohen fraza si “po i ndërron burrat më shpesh se Taylor Swift”.

Gjëra të tilla nuk dëgjohen për shumë këngëtarë burra që bëjnë të njëjtën gjë, e të cilët madje nuk marrin asnjë kritikë për këtë. Kjo ndodhë për shkak të mizogjinisë së brendshme që ekziston brenda të gjithëve. Temën e mizogjinisë së brendshme Taylor e diskuton në “Miss Americana” ku ajo thotë se po mundohet ta largojë mizogjininë brenda saj dhe se po tenton t’i largojë nga fjalori fjalët fyese ndaj grave që përdoren për t’i ofenduar ato.

Mizogjinia është përbuzja ndaj grave e cila promovon patriarkalizmin, dhunën ndaj grave, diskriminimin gjinor etj. Shumica e sjelljeve mizogjene kanë të bëjnë me armiqësinë ndaj grave që shkelin normat dhe pritshmëritë patriarkale. Ekzistojnë shumë mendime se gratë po bëjnë diçka gabim, se ato janë të padurueshme dhe kanë sjellje të këqija ose janë shumë këmbëngulëse. Gratë shfaqen kështu sepse sistemi mizogjinist na bënë të mendojmë se gratë janë pasive.

Fjala mizogjini është futur në fjalorin e Oksfordit në gjysmën e shekullit të 17-të, por u përdor shumë pak deri me fillimin e valës së dytë të feminizmit në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar. Rrënjët e mizogjinisë mund të gjenden që në mitologjinë greke, ku thuhet se burrat jetonin në paqe pa gra, deri sa Prometeu vodhi zjarrin dhe ua dhuroi njerëzve. Zeusi u zemërua dhe, përveç që dënoi Prometeun, ai dënoi edhe njerëzit duke i dërguar një grua të quajtur Pandora që mbante një kuti dhe sillte vdekjen, pleqërinë, punën dhe sëmundjet.

Gjatë shekujve, të drejtat elementare të grave janë shtypur. Në shoqëri ato kishin rolin e kujdesit për familjen dhe nga shumë janë trajtuar si pjesë e ulët e shoqërisë. Të gjitha këto ndodhi kanë ndikuar në nisjen e lëvizjes feministe, e cila njihet si lëvizja shoqërore më e gjatë ndonjëherë. Megjithatë pasi që mizogjinia ekziston për një kohë kaq të gjatë, e mbi të gjitha për shkak se shoqëria njerëzore (madje edhe në vendet më të përparuara) ende nuk ka arritur tërësisht të çlirohet nga prangat e patriarkalizmit, është e natyrshme që shumë nga ne, pa e kuptuar, jemi të ndikuar brenda nesh nga mizogjinia në një mënyrë apo tjetrën.

Por, çka në të vërtet mund ta trajtojmë si mizogjini të brendshme? Mizogjinia e brendshme mund të definohet si projektim i ideve seksiste nga gratë në gratë e tjera, por edhe në veten pa dashje. Sado feministë që mendojmë se jemi, shumë nga ne kemi ide se çfarë roli duhen të kenë gratë në shoqëri, të cilat rrjedhin nga pritshmëritë shoqërore. Si gra dhe vajza, ne jemi të inkurajuara t’i mbajmë kualitetet tona femërore, të jemi të shkurtra dhe të dobëta, por në të njëjtën kohë ne nuk duhet të jemi shumë femërore. Ne mund të qajmë, por jo të qajmë shume sepse pastaj konsiderohemi të pamatura, nuk duhet të jemi shumë mbi peshë sepse pastaj nuk i përmbahemi normave të shoqërisë. Të gjitha këto ndoshta fillimisht janë menduar nga burrat, por me kalimin e kohës janë bërë koncepte që gratë i mendojnë për veten e tyre dhe shumë shpesh i inkurajojnë gratë e tjera të mendojnë në këtë mënyrë.

Në shoqëri ekzistojnë shumë standarde të dyfishta të cilat vajzat i dëgjojnë e i përjetojnë që nga fëmijëria dhe me kalimin e kohës ato bëhen pjesë e mentalitetit të përditshëm të tyre. Që nga fëmijëria ne vërejmë se si djemtë trajtohen pak më ndryshe nga vajzat. Në shkollë, një djalë që e shpreh mendimin e tij shpesh konsiderohet si nxënësi më i mirë, kurse vajza konsiderohet e zhurmshme, ku edhe përdoren shprehje nga mësimdhënësit si “nuk po t’u ndalka goja”. Në moshën kur një vajzë as nuk e mendon martesën dhe fëmijët, shoqëria ia imponon të mendojë për to, duke e bërë që ta shoh një të ardhme për veten e saj, të cilën ajo ndoshta as nuk e do. Shokët tonë djem janë të lejuar të përdorin fjalë fyese, kurse vajzat nuk janë sepse “ne jemi vajza” dhe të tilla sjellje “nuk na kanë hije”. Të gjitha këto ne si fëmijë i thithim dhe me kalimin e kohës bëhen pjesë e mendimeve tona të cilat ne pastaj ia ushqejmë gjeneratave të tjera të vajzave të vogla. Largimi i mizogjinisë së brendshme është shumë i vështirë kur mizogjinia është në ajrin që ne marrim.

A e ndjejnë edhe vajzat adoleshente mizogjininë e brendshme?

Elda Ferati, 16 vjeçare, thotë “Edhe feministet besojnë se i shohin të gjithë në mënyrë të barabartë, por mizogjinia e brendshme qëndron diku tek shumica prej nesh.” Elda thotë se ajo e gjen veten duke projektuar ide mizogjiniste mbi veten e saj më shpesh sesa mbi gratë e tjera.

Për Grazetën, ajo shtoi: “pas hulumtimeve dhe diskutimeve kam kuptuar që mizogjinia e brendshme ekziston tek unë e ndoshta edhe te shumica dërmuese. Kështu, duke u ndjerë keq për pamjen ose kujdesin e fizikut, ose krahasimi dhe dëshira për të ndryshuar veten për t’u përshtatur me standarde të shoqërisë, shpesh gjej veten duke përdor fjali të llojit ‘gratë janë më emocionale se djemtë’. Të gjitha këto janë shenja të mizogjinisë së brendshme që do të doja shumë të mos ekzistojnë as tek unë e as tek të tjerët.”

Kurse 17 vjeçarja Olsa Murati thotë: “edhe pse bëj përpjekje maksimale që të mos kem mendime mizogjiniste, ato ndonjëherë vijnë vetvetiu si rezultat i shoqërisë në të cilën jetojmë. Është e rëndësishme që të jemi të vetëdijshëm mbi ekzistencën e tyre dhe ta luftojmë të gjithë së bashku.”

Por, a duhet të thyhet ky cikël dhe si duhet thyer?

Olsa thekson se është e vështirë të thyhet një cikël që për shumicën është normal dhe që shumica nuk e ndjen si fenomen të padrejtë. Prandaj, ajo mendon që duhet të gjithë të edukohemi për ekzistencën e mizogjinisë brenda nesh dhe secili të fillojmë nga vetja ndryshimin.

“Ne si gra e vajza nuk duhet të komentojmë trupin e grave të tjera vetëm sepse nuk përputhen me standardet që janë të vendosura nga një shoqëri patriarkale, të mos i gjykojmë veshjet e njëra-tjetrës dhe të mos përdorim fjalë fyese kur ato ndihen rehat në trupin e tyre. Të mos i thërrasim mendjemëdha nëse ato shprehin mendimin e tyre lirshëm sepse burrat që bëjnë këtë ne i çmojmë,” thotë Olsa për Grazetën.

Ajo po ashtu mendon se nëse ne fillojmë të shohim problemin me këto mendime, atëherë dikur mund të thyhet ky cikël.

Elda thotë se ky cikël duhet të thyhet sepse shkakton shumë dëme të brendshme që shpesh pastaj reflektohen jashtë. Ajo e cek që në procesin e largimit të mizogjinisë së brendshme ne mund të hasim në probleme dhe vështirësi, kështu që duhet ta konsiderojmë edhe punën me ndonjë profesionist që të ndihemi më mirë për vetën dhe të tjerët.

Kështu, herën tjetër që kritikojmë dikë sepse janë veshur në një mënyrë që ne nuk e aprovojmë ose komentojmë trupin e tyre; herën tjetër që nuk marrim parasysh mendimet politike të vajzave apo i qeshim ato sepse flasin shumë; herën tjetër që themi “po i ndërron burrat më shpesh se Taylor Swift”, kujtohu se të gjitha këto janë mendime që janë imponuar mbi ty që nga fëmijëria!

Bëhu e para që thyen këtë cikël! Lufto mizogjininë brenda vetes tënde! 

About the author

Anda Murati

Anda Murati

Anda Murati ka lindur në vitin 2006. Ajo shkollën e mesme të ulët e përfundoi në shkollën “Qamil Batalli” në Prishtinë. Aktualisht Anda është nxënëse e klasës së 11-të në Gjimnazin “Xhevdet Doda”, drejtimi shkencat natyrore. Ajo që nga mosha e re ka pasur interesim për të drejtat e njeriut në përgjithësi, si dhe për temat si barazia gjinore dhe të drejtat e grupeve të margjinalizuara në shoqëri në veçanti.

Add Comment

Click here to post a comment