Shtjellime

Higjiena e shkollave dhe vajzat: Vështrim në një shkollë rurale dhe një urbane

Karriget e bankat e vjetruara, mungesa e higjienës dhe myku nëpër mure si dhe tualetet që nuk janë aspak higjienike dhe janë krejtësisht jashtë objektit shkollor janë disa nga problemet me të cilat vazhdojnë të ballafaqohen shkollat publike.

Kjo gjendje e rëndë në shkolla ndikon drejtpërdrejt në kualitetin e mësimit, por edhe në shëndetin, veçanërisht tek vajzat.

Anita dhe Leona nga shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Dëshmorët e Kombit” në Vraniq të Suharekës tregojnë se kushtet në këtë shkollë nuk janë aspak në nivelin e duhur.

Këto kushte jo të mira, sipas tyre, po ndikojnë edhe në kualitetin e mësimit.

Ato tregojnë se, për shkak të vjetërsisë së objektit shkollor, sapo të hysh në korridoret e shkollës kundërmon aromë e keqe, madje ka raste që edhe muret myken dhe bankat e karriget e klasave janë të vjetruara.

“Kushtet nuk janë të mira në këtë shkollë, por as shumë të këqija jo se jemi mësuar kështu tash e nëntë vjet. Objekti është shumë i vjetër. Po presim me u ndërtu shkolla e re tashmë. Këtu ka raste që muret myken. Edhe bankat e karriget i kemi të vjetruara. Tualetin e kemi shumë më keq se nuk e kemi brenda në shkollë hiç, janë vetëm jashtë objektit të shkollës”, tregojnë ato për “Grazetën”.

Fëmijët e rrezikuar, gjendja është tmerr

Albana Kolgeci është nënë e një fëmije që vijon mësimin në këtë shkollë. Ajo shpreh shqetësimin se fëmija i saj, por edhe fëmijët e tjerë, janë të rrezikuar në mënyrë potenciale nga papastërtia në ambientet e shkollës e sidomos në tualetet.

“Nuk jemi të kënaqur asnjë pikë për higjienën, sepse kushtet në atë shkollë janë tmerr. Në shëndet ju ndikon, përderisa ka myk në mure aty ka edhe lagështi. Edhe tualeti është jashtë që rrezikohen fëmijët gjatë dimrit për shkak të temperaturave të ulëta dhe nuk kanë aspak pastërti, janë improvizim se s’janë tualete të mirëfillta”, shprehet ajo për “Grazetën”.

Zvarritja në përfundimin e punimeve për objektin e ri shkollor

Ajo që mund të quajmë si më e “keqja” është që, pak metra tutje nga objekti aktual i institucionit arsimor “Dëshmorët e Kombit”, gjendet ndërtesa ku pritet të jetë shkolla e re, por punimet në këtë objekt kanë ngecur që nga viti 2019. Kështu tha për “Grazetën” Bajram Rraqi, drejtor i SHFMU “Dëshmorët e Kombit” në Vraniq.

Ai thotë se në këtë shkollë vijojnë mësim 230 nxënës. “Punimet në shkollën e re kanë mbetur të papërfunduara që nga viti 2019 dhe në këtë shkollë vijojnë mësim 230 nxënës”, thotë Raqi.

Pasojat nga mungesa e higjienës në shkolla

Epidemiologia Linda Mehmeti nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës thotë se mungesa e higjienës në institucionet shkollore mund të ndikojë në paraqitjen e epidemive dhe infeksioneve të ndryshme, të cilat mund të barten në mungesë të ujit.

Ajo thotë se shërbimet e higjienës ndikojnë në mësim, shëndet dhe dinjitetin e nxënësve, veçanërisht tek vajzat.

“Për një arsim cilësor fëmijët kanë të drejtë të kenë qasje në shërbimet e ujit të pijshëm, sanitacionit dhe higjienës gjatë kohës së qëndrimit në shkollë. Shërbimet e higjienës mund të ndikojnë në mësim, shëndet dhe dinjitetin e nxënësve, veçanërisht për vajzat. Në rast se nuk kanë ujë në tualete, ekziston rrezik për infeksione dhe epidemi hidrike”, deklaron ajo për “Grazetën”.

Tutje, Mehmeti thotë se është shumë e rëndësishme për shëndetin e vajzave sigurimi i vendeve të ndara në tualete, veçanërisht për periudhat e menstruacioneve.

“Qasja në ujë të pijshëm të sigurt është e domosdoshme ngase shumë sëmundje mund të shfaqen nga kontakti i lëkurës me ujë të ndotur ose nga marrja e mikroorganizmave prezent në ujë,” shtoi Mehmeti për “Grazetën”, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së ambienteve shkollore të pastra dhe të mirajrosura, qasjen në nyjat sanitare të cilat duhet të pastrohen, dezinfektohen dhe ajrosen, si dhe pasjen e ujit të mjaftueshëm, shamponit dhe letrës higjienike.

“Shumë e rëndësishme për shëndetin e vajzave është dhe sigurimi i vendeve të ndara në tualete veçanërisht për periudhat e menstruacioneve”, pohon Mehmeti.

Epidemiologia Mehmeti në fund tregon se cilat janë sëmundjet që vijnë nga mungesa e higjienës në institucionet shkollore.

“Shumë sëmundje vijnë si pasojë e duarve të palara. Prandaj, përpos infrastrukturës në ambientet shkollore, duhet të diskutohet sa më shumë për ngritjen e vetëdijes së nxënësve për rëndësinë e higjienës personale dhe të ambientit ku qëndrojnë,” thotë në fund ajo për “Grazetën”, duke shtuar se sëmundjet më të shpeshta nga higjiena joadekuate janë diarea, shkuarja e barkut, tifo abdominale, paratifo, enteritet, etj.

Përveç vendeve rurale, papastërti e aromë kundërmuese edhe në shkolla të Prishtinës

Në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Pavarësia” në Prishtinë ka papastërti në tualete dhe aromë të madhe kundërmuese që ndihet në tërë objektin e shkollës.

Po ashtu, ka dëmtime të mëdha nëpër vendet ku rrinë nxënësit, pasi dyert e dritaret e kësaj shkolle janë të vjetra e të prishura.

Në prani të gjyshit të saj ka folur edhe nxënësja e kësaj shkolle, Vera Blakqori. Ajo është shprehur e shqetësuar për gjendjen e tualeteve.

“Era vjen shumë e keqe në shkollë dhe banjot janë keq”, tregon ajo për “Grazetën”.

Jehona, nënë e një fëmije që vijon mësimin në këtë shkollë, thotë se fëmijët tanë janë të rrezikuar nga infeksionet në këtë shkollë.

“Këtu mëson fëmija jem. Të mbyt kundërmimi i erës së keqe. Është era e banjave. Kur hapet dera kryesore për të dalë fëmijët nga shkolla, ndihet era deri jashtë – e mos të flasim për brenda. Banjat janë tmerr, fëmijët janë të rrezikuar nga infeksionet”, tha ajo për “Grazetën”.

Mungesa e kushteve elementare të higjienës menstruale në shkolla mund të ketë implikime serioze për shëndetin e vajzave. Por, efektet e mungesës së higjienës menstruale shtrihen përtej shëndetit fizik. Vajzat që nuk kanë akses në objektet e duhura që sigurojnë higjienë menstruale mund të ndihen të turpëruara, apo edhe të frikësuara që ta ndjekin mësimin gjatë periodave të tyre. Ato mund të humbasin mësim, të mbesin prapa në mësime dhe përfundimisht ta braktisin mësimin. Kjo jo vetëm që ka një ndikim negativ në arsimimin e tyre, por edhe në perspektivat e tyre të ardhshme.

Për më tepër, ka tabu të thella rreth mensturimit që e përkeqësojnë më tej çështjen e higjienës menstruale në shkolla. Menstruacionet mund të shihen si të turpshme ose të ndyra, dhe vajzat ndjehen sikur duhet ta fshehin këtë proces tërësisht natyral.

Megjithatë, ka shpresë. Duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e higjienës menstruale, duke thyer tabutë dhe duke siguruar burimet dhe edukimin e nevojshëm, ne mund të sigurojmë që të gjitha vajzat të mund t’i menaxhojnë periodat e tyre me dinjitet dhe pa frikë nga sikleti apo rreziqet shëndetësore. Kjo kërkon një përpjekje kolektive nga prindërit, edukatorët, politikëbërësit dhe komunitetet. Vetëm atëherë mund të krijojmë një të ardhme ku vajzat mund të lulëzojnë dhe ta arrijnë potencialin e tyre të plotë, pavarësisht nga cikli i tyre menstrual.

Ndryshe, numri i nxënësve, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar në mbarë Kosovën është mbi 400 mijë. Shumë prej tyre vijojnë mësimin në objekte shkollore që shpërfillin kushtet elementare higjienike dhe sanitare. Kësisoj, për shumë prej fëmijëve që ndjekin arsimin parauniversitar – që nga kopshtet e deri te shkollat e mesme – rrezikohen nga infeksionet që vijnë nga kushtet e rënda higjienike.

About the author

Ardita Zeka

Ardita Zeka

Ardita Zeka është në përfundim e sipër të studimeve Bachelor për Komunikim Masiv dhe Gazetari në Kolegjin AAB. Që nga viti 2015 ka punuar vazhdimisht si gazetare në fushat e politikes, shëndetësisë dhe ekonomisë. Ndërsa, aktualisht Ardita është redaktore në portalin arbresh.info.

Add Comment

Click here to post a comment