Feminizmi është besimi në barazinë shoqërore, ekonomike dhe politike të të dy gjinive. Edhe pse feminizmi origjinën e ka nga vendet perëndimore, idetë feministe tashmë janë të përhapura në të gjithë botën. Si themeluese e feminizmit konsiderohet Mary Wollstonecraft. Ajo në veprat e saj shkroi për arsimimin dhe mundësitë e kufizuara të grave në vitet e 1700-ta. Mary Wollstonecraft ndikoi në idetë dhe mendimet e gjeneratës së saj, por edhe të gjeneratave të tjera të grave, duke kundërshtuar rolin që kishte gruaja në shoqëri. Nga ajo u influencuan shumë shkrimtare feministe duke përfshirë edhe Jane Austen, e cila në veprat e saj vazhdimisht kërkonte arsimimin e grave dhe heqjen e varësisë së tyre nga burrat.
Valët e feminizmit
Lëvizja feministe ndahet në tre etapa kryesore: në atë të valës së parë, të dytë dhe të tretë.
Feminizmi i valës së parë përfshin periudhën nga shekulli i XIX deri në fillimin e shekullit XX. Vala e parë e feminizmit si qëllim kryesor kishte përmbysjen e pabarazive gjinore dhe të drejtën e votës për gratë, përkatësisht fuqizimin e të drejtave civile dhe politike për gratë.
Vala e dytë e feminizmit zgjati dy dekada, nga vitet e ‘60-ta deri në vitet ‘80-ta. Gjatë këtyre viteve, lëvizja feministe mundohej të bënte emancipimin e gruas dhe të tejkalonte kërkesat për të drejta civile dhe politike dhe të kërkonte edhe fuqizim të pozitës socio-ekonomike. Kjo valë luftonte diskriminimin gjinor edhe duke u përqendruar në të drejtën e gruas për të kontrolluar trupin e saj, përfshirë të drejtën e saj për kontrolluar riprodhimin. Edhe pse vala e parë dhe e dytë e feminizmit janë shumë të rëndësishme për lëvizjen, ato u zhvilluan kryesisht në botën perëndimore.
Kështu vala e tretë e feminizmit, ndryshe e njohur edhe si feminizmi modern, filloi në vitet e ‘90-ta dhe po vazhdon edhe sot. Feminizmi modern është i përhapur në shumicën e vendeve të botës dhe ka të njëjtin qëllim bazik me etapat e tjera të feminizmit, përkatësisht fuqizimin e gruas në shoqëri. Kështu vala e tretë u përqendrua në aktivizmin politik, si dhe në përpjekjet për të fuqizuar gratë e margjinalizuara, sidomos ato me identitete të ndryshme klasore, kulturore, racore dhe të orientimit seksual.
Sot flitet edhe për valën e katërt të feminizmit, ndonëse ka mospajtime nëse kjo është pjesë e valës së tretë dhe kryesisht lidhet me ndikimet që ka sjellë teknologjia informative e sidomos rrjetet sociale, të cilat ishin qenësore për zhvillimin e lëvizjes #MeToo.
Lëvizjet e burrave
Pasi kjo lëvizje u përhap shumë shpejt dhe në shumë vende, natyrshëm pas saj erdhën edhe reagime të shumta nga shumë burra. Në vitet e ‘60-ta dhe ‘70-ta të shekullit të kaluar u krijua lëvizja “Men’s Liberation Movement” apo Lëvizja Çlirimtare e Burrave. Ata pajtoheshin me shumicën e ideve feministe dhe kishin për qëllim që të largoheshin stereotipat e maskulinitetit tradicional. Kjo lëvizje theksonte se gjinitë janë marrëdhënie që i ka ndërtuar shoqëria e jo biologjia.
Pas kësaj lëvizjeje erdhi “Men’s Rights Movement” apo Lëvizja për të Drejtat e Burrave. Disa nga temat që kjo lëvizje i diskutonte ishin ligjet për kujdestarinë e fëmijëve, vetëvrasja, riprodhimi, dhuna në familje kundër burrave, arsimimi dhe politikat shëndetësore. Shumë studiues lëvizjen e trajtojnë si lëvizje mizogjiniste dhe kundër feminizmit. Lëvizja për të drejtat e burrave kundërshton konceptin se burrat kanë më shumë privilegje se gratë. Lëvizja është e ndarë në dy grupe: ata që mendojnë se burrat dhe gratë dëmtohen në mënyrë të barabartë nga seksizmi dhe ata që mendojnë se “privilegjet e grave” ekzistojnë.
Me përhapjen e feminizmit modern është rritur edhe vetëdijesimi i burrave ndaj çështjeve të cilat i përfshin kjo lëvizje. Shumë gra, por edhe shumë burra, kanë filluar të kuptojnë domethënien e vërtetë dhe të saktë të termit feminist dhe të identifikohen si të tillë. Në ditët e sotme ka mendime të ndryshme sa i përket feminizmit. Një grup jo i vogël i burrave mendojnë se nevoja për feminizmin nuk ekziston më dhe se tashmë gratë kanë mundësitë e njëjta me burrat për t’u punësuar – si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, duke qenë se gratë konsiderohet se kanë përparësi për shkak të rritjes së dukshme të lëvizjes feministe. Sa i përket temave si ato të vetëvrasjes te burrat apo e kujdestarisë së fëmijëve, ende nuk ka zhvillime të mëdha, megjithatë këto probleme vazhdimisht diskutohen dhe konsiderohen si çështje që me ndihmën e burrave dhe me përfshirjen e tyre në lëvizjen feministe do të mund të trajtoheshin seriozisht, duke qenë se feminizmi ka ndikim në të dy gjinitë.
A cenohen të drejtat e burrave nga feminizmi?
Lufta për barazi gjinore dhe feminizmi ka filluar të kenë ndikim edhe në shoqërinë tonë në Kosovë. Po ashtu edhe pikëpamja e burrave mbi feminizmin dhe raportet gjinore është me interes të trajtohet. Për të trajtuar disa nga këto çështje për këtë shkrim janë intervistuar dy djem dhe një vajzë të moshave nga 16 në 18 vjeç.
Çështja e parë të cilën e diskutuam ishte nëse gjeneratat e reja tek ne mendojnë se po i cenohen burrave të drejtat me rritjen e lëvizjes feministe.
Ditjon Malaj, 16 vjeçar thotë “Jo. Edhe pse shpesh ngatërrohet me misandrizmin, që është urrejtja ndaj burrave, kjo nuk ka asgjë të bëjë me feminizmin.” Ai për “Grazetën” shtoi se “duke u nisur thjesht nga definicioni i fjalës, feminizmi avokon për të drejta të barabarta të gjinive. Këtu s’ka asgjë për t’u ndjerë i cenuar.”
Rion Beka, 18 vjeçar, mendon se kjo është një përgjigje e thjeshtë për këdo që e kupton se çfarë është feminizmi. Ai thotë se “në përgjithësi, feminizmi mund të shihet si një lëvizje për t’i dhënë fund seksizmit, shfrytëzimit seksist dhe shtypjes, pra për të arritur barazinë e plotë gjinore në ligj dhe në praktikë, që lë të kuptoj se nuk cenohet asnjë e drejtë e burrave.” Rioni për “Grazetën”shtoi se, sipas mendimit të tij, pjesëmarrja e burrave në lëvizjet për barazi gjinore duhet të jetë parësore për shkak që mund të forcojë përpjekjet feministe.
Dea Lajqi, 16 vjeçare thotë se lëvizja feministe ka si qëllim të drejtat e barabarta dhe mundësitë e barabartë mes gjinive. “Fatkeqësisht shumë herë kjo keqinterpretohet, duke menduar që feministet ‘i urrejnë’ burrat dhe iu dëshirojnë atyre më pak të drejta. Përkundrazi asnjëherë nuk ka qenë qellim që gratë të jenë mbi burrat, e aq më shumë që t’u cenohen atyre të drejtat, por thjeshtë të jenë të barabartë,” thotë ajo për “Grazetën”, duke shtuar se ne mundohemi të krijojmë një rreth social ku gratë janë më se të mirëpritura të shprehen ashtu siç duan.
Por, a mendojnë ata se është rritur dhuna ndaj grave apo vetëm lajmërimi i tyre?
Dea thekson se dhuna ndaj grave ka ekzistuar gjithmonë si pasojë e mendimit patriarkal që burrat janë më të fortë dhe më superior se gratë. “Numri i viktimave të dhunës gjithmonë ka qenë dhe është i madh.”
Sipas saj, arsyeja pse shumë mendojnë se numri është rritur lidhet me rritjen e lajmërimit te rasteve. Dea për “Grazetën” shtoi se edhe pse rastet e shqetësojnë, lajmërimi i tyre është një gjë shumë pozitive. “Kjo na bën të vetëdijshëm dhe i motivon viktimat të ngritin zërin e tyre, gjë që bën të mundur pakësimin e rasteve.”
Rioni mendon se është rritur lajmërimi i rasteve, gjë që ai konsideron si hap shumë pozitiv. “Këto raste kanë zë sepse shumë lehtë mund të çojnë në pakësimin e rasteve, por normalisht që duhet kohë dhe punë kolektive e shoqërisë.”
Ditjoni mendon se ka pas rritje të dukshme tek të dyjat. Ai thekson se në njërën anë, dhuna ndaj grave dhe dhuna në përgjithësi është rritur dukshëm pas pandemisë dhe jo rastësisht. “Pandemia dhe pasojat e saj kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me rritjen e dhunës,” thotë Ditjoni për “Grazetën” dhe shton se ka pas edhe rritje të vetëdijesimit përmes protestave dhe diskutimeve në media që ka ndihmuar shumë çështjen e dhunës ndaj grave. “Me ngritjen e këtij vetëdijesimi, rrjedhimisht rritet edhe numri i rasteve të lajmëruara.”
Edhe nga këto që u thanë nga të rinjtë e intervistuar mund të thuhet se feminizmi i përfshin edhe interesat e burrave, sepse shumë nga stereotipat gjinorë kanë ndikim negativ si te gratë ashtu edhe tek burrat.
Feminizmi nuk është luftë e grave kundër burrave, siç mund ta keqinterpretojë ndokush, por luftë e të gjithëve kundër padrejtësisë. Kjo vlen edhe për Kosovën, në të cilën përpjekja për barazi gjinore nuk duhet shikuar si një betejë vetëm e grave, por e shoqërisë në tërësi.
Unë besoj se shoqëria jonë, me gjithë vështirësitë, pengesat dhe ngecjet e herëpashershme, është në rrugën e fuqizimit të rolit të gruas në shoqëri.
Add Comment