Shtjellime

Gjuha e barabartë gjinore

Gjuha është pasqyra e bashkëjetesës sonë dhe është mjeti me anë të të cilit shprehim mendimet. Me gjuhën shprehim edhe vlerat dhe normat e kulturës sonë dhe njëkohësisht i riprodhojmë ato. Prandaj, veprimi gjuhësor i reflektuar dhe gjithëpërfshirës është thelbësor dhe i domosdoshëm për krijimin dhe promovimin e një shoqërie demokratike dhe të barabartë.

Një debat i diskutueshëm shoqëror është zhvilluar mbi temën e gjinisë apo gjuhës së barazisë gjinore. Kur flasim mbi një temë të tillë, ka shumë aspekte për t’u marrë parasysh rreth “gjuhës së barabartë gjinore” që mund të çojnë në një diskutim të diferencuar.

Atëherë, shtrohet pyetja: pse është e rëndësishme që të kemi një gjuhë të rregulluar në baza gjinore?

Një studim i Bankës Botërore i vitit 2019 e shpjegon rolin e gjuhës gjinore. Studimi zbulon se gjuha gjinore lidhet me përqindje më të dobëta të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore për gratë dhe me norma gjinore më regresive. Studimi tregon më tej se në shumë vende në zhvillim, pjesëmarrja e barabartë e grave në shoqëri përballet me pengesa të mëdha. Ndërsa disa nga këto pengesa janë të lehta për t’u dalluar, një linjë e re kërkimi zbulon një mundësi befasuese dhe më pak të dukshme: vetë struktura e gjuhëve të caktuara mund të formësojë normat gjinore në mënyra që kufizojnë mundësitë e grave.

Në një diskutim të kohëve të fundit për Hulumtimin e Politikave (Policy Research Talk), ekonomisti i Bankës Botërore, Owen Ozier, dha një prezantim të shkurtër mbi gjuhësinë dhe marrëdhëniet e saj me normat gjinore dhe rezultatet ekonomike për gratë. Sipas Ozier, hulumtimet e mëparshme kanë sugjeruar një lidhje midis gramatikës dhe gjinisë. Për shembull, në disa gjuhë, emrat klasifikohen si mashkullor ose femëror (ose ndonjëherë edhe asnjanës). Eksperimentet e fundit në shkencat politike kanë treguar se gjuhët gjinore që klasifikojnë emrat në këtë mënyrë, shoqërohen me qëndrime më regresive gjinore. Për shembull, hulumtimet në fushën ekonomike kanë zbuluar gjithashtu se të sapoardhurit në Shtetet e Bashkuara që flasin gjuhë specifike për gjininë priren t’i ndajnë punët e shtëpisë më shumë sipas gjinisë.

Ozier dhe kolegia e tij Pamela Jakiela (2019) në Qendrën për Zhvillimin Global kërkuan prova të vlefshme dhe në një punim të ri ata dokumentojnë rezultatet e një hulumtimi për të përcaktuar strukturën gjinore gramatikore të 4,334 gjuhëve që së bashku përbëjnë 99 për qind të popullsisë së botës. Rezultatet janë befasuese. Gjinia gramatikore shoqërohet me një diferencë rreth 15 pikë përqindjeje në pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore krahasuar me atë të burrave, edhe pas kontrollit të faktorëve të ndryshëm gjeografikë dhe ekonomikë që mund të përbëjnë këtë ndryshim.

Në praktikë, gjuha gjinore mund të jetë arsyeja pse 125 milionë gra në mbarë botën nuk bëjnë pjesë në fuqinë punëtore. Rezultati i këtij hulumtimi tregon rëndësinë si dhe ndikimin që ka gjuhë jo vetëm në përditshmërinë tonë, por edhe në fushën e punësimit. Për shembull, Mavisakalyan (2011) duke ekzaminuar rezultatet e tregut të punës bazuar në mostrat nga 108 vende tregon se përqindjet e pjesëmarrjes së grave janë më të ulëta kur gjuha mbizotëruese është specifike për gjininë. Duke përdorur të dhëna në nivel individual nga në 48 vende nga Anketat e Vlerave Botërore, artikulli dokumenton ndikimin e gjuhës gjinore në gjasat e punësimit të grave.

Lidhja e roleve gjinore me gjuhën tashme vetëm se është bërë pjesë e debateve te ndryshme, jo vetëm në sferën shkencore, por edhe atë sociale dhe në media.  Në një intervistë të publikuar në Frankfurter Rundschau nga autorët Funk dhe Dalka me psikologen sociale Sabine Sczesny, ku u diskutua për rëndësinë e roleve gjinore dhe lidhjen e tyre me gjuhën, Sczesny shpjegon se gjatë përdorimit të një gjuhe, mënyra se si u mësua gjuha luan një rol shumë të veçantë. Në këtë diskutim ajo përmend se si në fjalorin e gjuhës gjermane DUDEN vetëm gjatë viteve të 90-ta u shtua edhe termi police kur deri atëherë gjendej vetëm për gjininë mashkullore. Kjo ishte një ndarje klasike e roleve gjinore, në të cilën profesionet nga të cilat ata nxjerrin përfitime monetare u atribuoheshin burrave dhe grave punëve shtëpiake e profesioneve që konsideroheshin femërore. Sczesny thekson se me emërtimin e dy gjinive, u bë si një lloj feminizmi. Ajo vazhdon duke theksuar se gjuha është një pjesë e vogël e enigmës në një debat të madh shoqëror dhe kërkimet tregojnë se gjuha ka një ndikim.

Për t’iu përgjigjur pyetjes se pse gjuha me baza gjinore është e rëndësishme, autorja gjermane Elsen (2020) në librin e saj shkencor “Gender, Sprache und Sterotypen”,  thekson se mbrojtja e barazisë gjinore nuk përfshin më në mënyrë implicite gratë, por në mënyrë eksplicite i emërton dhe trajton ato. Ato bëhen të dukshme verbalisht, shfaqen dhe bëhen të vetëdijshme. Në këtë mënyrë, përfaqësimi i mundësive të barabarta jep një kontribut – jo të parëndësishëm – në barazinë aktuale të burrave dhe grave, sepse gjuha dhe realiteti shoqëror janë të pandashëm.

Edhe sipas Baumann-it (2006), historia e integrimit gjinor (Gender mainstreaming) është pjesë e një tradite të gjatë të politikave ndërkombëtare të barazisë gjinore. Integrimi gjinor mund të gjurmohet në lëvizjet feministe të grave dhe avokimin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Historia e saj konkrete shtrihet nga Konferenca Botërore e 1985-s për Gratë dhe deri në të tashmen evropiane. Gjatë rrugës, është bërë e qartë se demokracia gjinore prek të gjitha fushat e politikave.

Ajo që mund të thuhet nga shembujt e dhënë në këtë artikull është se mungesa e gjuhës së rregulluar me baza gjinore sjell edhe mungesën e tregut të punës për gratë. Studime të shumta shkencore tregojnë rëndësinë e gjuhës specifike për gjininë.

Për shembull, mungesa e një gjuhe të rregulluar gjinore në Kosovë ndikon në ndjenjën e mospërfaqësimit të grave në jetën e përditshme. Te mashkullorja gjenerike (Generic masculine/GM) që përdoret përgjithësisht në vendin tonë, duke filluar nga kushtetuta e vendit e deri te konkurset që hapen nga universitetet në Kosovë, gjejmë vetëm emra për gjininë mashkullore, si president, kryetar, deputet e të tjera. Paraqitja e këtyre shembujve tregon përdorimin e gjuhës asnjanëse që mbështetet në gjininë mashkullore si gjini përfaqësuese për të dyja gjinitë. Prandaj, mashkullorja gjenerike (Generic masculine/GM) kritikohet nga shumë studiues sepse është e paqartë, sepse gratë nuk janë të dukshme në gjuhë, sepse kanë më pak mundësi identifikimi dhe vihen re më pak.

Meqenëse gjuha është mjeti i komunikimit, është e rëndësishme që ajo të përfaqësojë të gjitha gjinitë.

About the author

Eldonita Gucia

Eldonita Gucia

Eldonita Gucia është duke përfunduar studimet master në Gjuhë dhe Letërsi Gjermane në Universitetin e Prishtinës. Gjatë studimeve ajo shpesh merrte pjesë në punëtori dhe seminare mbi politikën gjuhësore, gjuhësinë feministe dhe gjuhën gjinore. Aktualisht, Eldonita punon si mësimdhënse e gjuhës gjermane në gjimnazin Loyola, Prizren.

Add Comment

Click here to post a comment