Ajo

Regjisorja Kaltrina Krasniqi: “Beso në veten tënde!”

Kaltrina Krasniqi është regjisore nga Kosova. Ajo në vitin 2004 përfundoi studimet në Universitetin e Prishtinës për regji të filmit. Pas 11 viteve, në vitin 2015 ajo i vazhdoi studimet në Universitetin e Kalifornisë në Los Angjelos (UCLA) për prodhimin e filmave. Kaltrina është regjisore e filmave dhe dokumentarëve të ndryshëm siç janë: “Punpun”, “Kanarinët e dinë”, “Sarabande”, “Vera andrron detin”, etj. Përveç të qenit regjisore, Kaltrina është edhe producente e dokumentarit të shkurtër “Sarabande” dhe e filmit të shkurtër “Kanarinët e dinë”, si dhe bashkëproducente e filmit “Vera andrron detin”.

Në filmin e saj të fundit, “Vera andrron detin”, flitet ndër të tjera për çështjen e pronësisë tek gratë dhe luftën që duhet ta bëjnë ato për të marrë atë që ish dashur t’u takojë natyrshëm në shoqëritë njerëzore. Ndonëse ky film ende nuk e ka pasur premierën në Kosovë, ai ka fituar disa çmime të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, si çmimin “Autorë nën 40 vjeç” nga kinemaja “Venezia a Napoli” në Festivalin e Venecias për regjinë më të mirë, “The International Debut Award” në Festivalin e Filmit në Goteborg, “Best Film” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokyo, çmimin special të jurisë në Festivalin e Filmit në Selanik, çmimin për filmin më të mirë në festivaliln e filmit “goEast”, etj. Filmi “Vera andrron detin” mori rreth 7 vjet për t’u përfunduar për shkak të buxheteve shumë më të vogla për filma në Kosovë. Ky film i dedikohet nënës së Kaltrinës, e cila në vitet ‘80 kaloi në një sfidë të ngjashme me Verën, personazhin kryesor të filmit të fundit, pas divorcit me burrin e saj.

Në një intervistë që zhvillova me Kaltrinën në fillim të këtij muaji, kur e pyeta se si e ka përzgjedhur karrierën si regjisore filmike dhe nëse ka pasur rol edhe motivi gjinor në përzgjedhjen e profesionit të regjisores apo vetëm dashuria për artin filmik, ajo theksoi se nuk ka qenë motivi i saj mungesa e grave në kinematografi.

Në vazhdim të kësaj teme, ajo shtoi se “fenomeni i grave në kinematografi nuk është specifik vetëm për Kosovën sepse globalisht nuk ka pasur shumë gra që janë marrë me këtë punë. Ka rastisur që në vitin që unë e përfundova gjimnazin të hapet për herën e parë departamenti i filmit, mirëpo unë nuk kam dashur t’i fillojë studimet menjëherë, por të pushoja një vjet sepse kam dashur ta di sigurt se çka dua të studioj. Vitin tjetër jam pranuar në akademi,” thotë Kaltrina për “Grazetën”.

Kaltrina thotë se akademia ishte një hapësirë shumë e mirë që e lejoi të eksperimentonte prej departamentit në departament për shkak se drejtimi i universitetit, pavarësisht që kishte fokus regjinë e filmit, ishte edhe multidisiplinor.

Çështja tjetër që e diskutuam me Kaltrinën kishte të bënte me ndërlidhjen e sfidave jetësore dhe të të qenit grua në karrierën e saj. Sa i përket kësaj çështjeje, ajo nuk mendon se të jesh grua është një prej gjërave esenciale sepse, sipas saj, “skena e filmit në Kosovë, sidomos pas luftës, ka qenë gjithmonë e dominuar prej grave, gjithmonë ka pasur më shumë regjisore se sa që ka pasur regjisorë, kështu që nuk ka qenë e pazakonshme të jesh një grua pas kamerës.”

Kaltrina mendon se më sfidues ka qenë vendi ku jetojmë, duke e përfshirë edhe atmosferën politike nëpër të cilën ka kaluar Kosova, dhe për shkak të këtyre arsyeve investimet në filma janë të vogla dhe kjo shkakton që ato të marrin kohë të gjatë për t’u përfunduar.

Në tetor të vitit 2017 filloi lëvizja “Me Too”, ku viktimat e abuzimit seksual të çfarëdo forme tregonin historinë e tyre për t’i ndihmuar njëra-tjetrës dhe për ta shpërndarë mesazhin se nuk janë vetëm. Kjo lëvizje u popullarizua shumë për shkak të akuzave që iu bënë producentit të njohur Harvey Weinstein nga shumë aktore, regjisore edhe producente të njohura të industrisë së filmit. E diskutuam me Kaltrinën edhe rolin e lëvizjes “Me Too” sa i përket fuqizimit të grave në industrinë e filmit (sidomos te regjisoret, producentet dhe skenaristet).

Ajo theksoi se gjëja më e rëndësishme në “Me Too” është që ka arritur t’i sjellë në “mainstream” debatet shumë relevante mbi dinamikat gjinore e sidomos ato ekonomike gjinore. “Mendoj që ajo lëvizje ka filluar t’i jap zë edhe grupeve më të margjinalizuara të shoqërisë, ku nuk janë vetëm gratë por edhe komuniteti queer, njerëzit me ngjyrë etj. Në këtë aspekt mendoj se kjo lëvizje ka qenë shumë relevante për shkak se e ka krijuar një aktivizëm i cili nuk ka qenë i zakonshëm përpara, për më tepër ‘mainstream’-i ka qenë më konservativ, sidomos në kinematografi,” tha Kaltrina për “Grazetën”, duke shtuar se filmat që kanë qenë pjesë e “mainstream”-it kurrë nuk i kanë debatuar këto çështje, por kanë filluar të jenë pjesë e lëvizjes dhe e publikut më të gjerë pas popullarizimit të lëvizjes “Me Too”. Përderisa sipas Kaltrinës “Arthouse cinema gjithmonë ka qenë më provokative dhe si rezultat këto tema i ka prekë shumë shpesh, sidomos nga regjisoret gra”.

Disa nga arsyet pse ka shumë më pak regjisore se sa regjisorë në nivel global janë sepse ende ekzistojnë paragjykime të tipit “gratë janë për t’u parë dhe jo dëgjuar”, si dhe paragjykime që i bëjnë njerëzit të mendojnë se të gjitha gratë e shohin botën shumë “ngushtë”. Kjo ka bërë që edhe filmat që kanë regjisore gra të trajtohen nga kritikët si filma me karakter të ndjeshëm (emocional), edhe nëse në realitet nuk janë të tilla.

Kaltrina na tregon se dallimi mes të qenit regjisore në Kosovë dhe në ShBA ose në Evropën Perëndimore është se në ShBA filmi është investim privat dhe për këtë arsye investimi në gra është shumë më i vogël sepse në shumë raste nuk i besojnë grave si regjisore. Kurse në Evropë filmi përjetohet si disiplinë në të cilën investohet edhe nga institucionet shtetërore për shkak se filmi ka edhe rolin e përfaqësimit shtetëror. Në pjesën juglindore të Evropës, në shumicën e rasteve, nuk pritet që filmi të ketë sukses komercial, kurse në Evropën Perëndimore dhe ShBA kjo logjikë është dominante.

Duke marrë parasysh se filmi “Vera andrron detin” ende nuk është publikuar, Kaltrina nuk është e sigurt për pritshmërinë apo reagimin e publikut ndaj tij. Por ajo na tregon për filmat e tjerë shqip të cilët kanë vërtetuar se ka publik vendor për arsye se njerëzit ndihen të përfaqësuar në kuadër të këtyre filmave. Ajo thotë se “gratë, sidomos në shoqërinë kosovare, nuk ndihen që kanë se çka të humbin nëse e flasin të vërtetën dhe mendoj se është shumë interesant ta shikosh se si njerëzit gjithmonë kanë jetuar përmes tregimeve dhe gjithmonë ka ekzistuar nevoja e ndryshimit të perspektivave të tregimeve.”

Kaltrina po ashtu thotë se deri para 25 vjetëve, jo vetëm në film por edhe në libra e teatër, gjithmonë tregimi është rrëfyer nga perspektiva e burrit të të gjitha brezave, kurse tash ka filluar të ndërrojë kjo dhe po i shohim gratë, komunitetin queer dhe njerëzit me ngjyrë duke i treguar rrëfimet e tyre. “Kjo po i jep zë grupacioneve të mëdha të njerëzve që historikisht nuk kanë pasur përfaqësim,” thotë Kaltrina dhe përshtypja e saj është se tregimet mund të shërojnë.

Bashkëbisedimi me Kaltrinën, si edhe tregimi i sukseseve të saj si grua, artiste dhe njeri i suksesshëm në shoqërinë tonë dhe përtej saj, nuk mund të përfundonte pa një mesazh nga ajo. Kështu, Kaltrina Krasniqi dha një mesazh për të gjitha vajzat dhe gratë të cilat dëshirojnë të ndjekin karrierën në artin filmik. Ky mesazh ishte i shkurtër, por shumë domethënës: “Beso në veten tënde!” 

About the author

Anda Murati

Anda Murati

Anda Murati ka lindur në vitin 2006. Ajo shkollën e mesme të ulët e përfundoi në shkollën “Qamil Batalli” në Prishtinë. Aktualisht Anda është nxënëse e klasës së 11-të në Gjimnazin “Xhevdet Doda”, drejtimi shkencat natyrore. Ajo që nga mosha e re ka pasur interesim për të drejtat e njeriut në përgjithësi, si dhe për temat si barazia gjinore dhe të drejtat e grupeve të margjinalizuara në shoqëri në veçanti.

Add Comment

Click here to post a comment